Pak orë para nisjes së FEST 62, gazetarja Agolli zbulon disa nga surprizat e natës së parë
Teksa na ndajnë dhe pak orë nga nisja e natës së parë të Festivalit të 62-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptarë, në Pallatin e Kongreseve vijojnë provat e fundit për 16 këngët pjesëmarrëse të kësaj nate.
Gazetarja Albana Agolli, e pozicionuar në Pallatin e Kongreseve, në një lidhje me studion e lajmeve në RTSH 24, ka zbuluar disa nga surprizat e natës së parë të Festivalit të 62-të të Këngës në RTSH.
Ajo u shpreh se në total janë 31 performanca pjesëmarrëse në FEST 62, 16 prej të cilave do të performojnë natën e parë dhe 15 natën e dytë.
Nata e tretë e Festivalit, që është nata e nostalgjikëve, do të sjellë gjithashtu këngë të cilat kanë ‘shkelur” skenën e Eurosongut.
“Detaji që bën diferencën është mënyra e kompozimit të dritave. Ndriçimi krijon atmosferën magjike. Ka qenë skenografi italian Carlo Cane i cili ka sjellë skenografinë dhe personalisht e kam pëlqyer shumë këtë skenografi. Në një anë të skenës është vendosur orkestra e RTSH, që duhet thënë është aset i RTSH-së dhe në anën tjetër bendi.
Është hera e parë që ka kaq shumë performance. Janë 31 performanca e pjesëmarrësve dhe ka një numër të lartë të pjesëmarrësve që lidhen me natën e nostalgjisë, që është nata e tretë e festivalit. Në këtë natë të nostalgjisë janë dhe këngë që janë evidentuar në Eurovision. 16 këngë do të këndohen natën e parë dhe 15 në natën e dytë”, tha ajo.
Sa i përket natës së katërt, që është nata finale e FEST 62, Agolli u shpreh do jenë 20 këngë që do debutojnë, 8 prej të cilave do jenë prej artistëve që shkelin për herë të parë skenën e Festivalit të Këngës në RTSH.
“Një numër i lartë këngësh do të këndohen në natën e nostalgjisë dhe në natën e katër që është dhe nata finale, ku do të shkojnë 20 këngë, 8 prej të cilave do të përzgjidhen prej debutuesve për herë të parë në festivalin e RTSH-së”, tha gazetarja e RTSH-së, Albana Agolli.