Pak para nisjes së Këshillit të Sigurimit, Rama: Të ndihmojmë Ukrainën. Thirrje Rusisë për marrëveshjen e grurit
Pak para nisjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në OKB, kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalë për mediat, ku ka bërë thirrje që të vijohet me përkrahjen e Ukrainës.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, i cili do të kryesojë edhe Debatin e Hapur të Nivelit të Lartë, shkatërrimi që ka sjellë lufta nuk është kufizuar vetëm në Ukrainë apo Evropë, por është përhapur në çdo cep të botës.
Për këtë arsye, siç u shpreh Rama, vendet duhet të përkrahin rendin ndërkombëtar të mbështetur në rregulla.
“Këshilli i Sigurimit do të mbajë Debatin e Parë të Hapur të Nivelit të Lartë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare përmes respektimit të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara në kontekstin e luftës në Ukrainë. Kam nderi të kryesoj këtë takim. Një luftë e paprovokuar, e padrejtë ka sjellë një konflikt vdekjeprurës në zemër të Evropës. Nuk ka sjellë asgjë veç vdekjes e shkatërrimit. Efektet e dëmshme të luftës nuk kufizohen vetëm te Ukraina dhe Evropa, përçojnë vallë tronditje në të gjithë botën dhe kërcënojnë sigurinë e ushqimit në mbarë botën. Kjo është arsyeja pse duhet të mbetemi të përkushtuar për të sjellë në KS realitetin e trishtë të këtij shkatërrimi të panevojshëm dhe tërësisht të shmangshëm. Na duhet të përkrahim rendin ndërkombëtar të mbështetur në rregulla. Na duhet të mbrojmë aksionin shumëpalësh dhe t’i rezistojmë forcave shkatërrimtare që duan të fragmentizojnë bashkësinë ndërkombëtare në një kohë kur duhet të jemi të bashkuar për të ndalur këtë luftë”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se të ndihmosh Ukrainën që të vetëmbrohet, shërben edhe si paralajmërim “për ata që ëndërrojnë konfliktin e përballjen”. Rama shtoi se do t’i bëhet edhe thirrje Rusisë për të nisur marrëveshjen e grurit.
“Ky takim vjen në kohë për të ndarë mendime si mund të shfrytëzojmë çdo mënyrë për paqe. Të ndihmosh Ukrainën sot të vetëmbrohet duke ndalur Rusinë përçon mesazhin më të mirë te kushdo që kërkon të angazhohet në një aventurë të tillë në të ardhmen. Paralajmëron ata që ëndërrojnë konfliktin e përballjen sepse nëse agresioni do të kishte sukses do të përçonte sinjalin e fundit të botës siç e njohim sot, fundin e pashkelshmërisë së kufijve. Do ta shfrytëzojmë këtë takim, për t’i ribëre thirrje Rusisë për të nisur marrëveshjen e grurit për hir të atyre qindra milionëve që kërkojnë ndihmë për ushqim e ndihmë nga Kombet e Bashkuara”, tha Rama.