“Paketa e Maleve”, Rama: Së shpejti shpallim një mbështetje të re financiare
Sofo dhe Dhurata, bashkëshortët të cilët administrojnë një agroturizëm në Tragjas të vjetër të Vlorës ishin të ftuar të kryeministrit Edi Rama në episodin 2 të sezonit 4 të Podkastit “Flasim”.
Çifti i ka ndërtuar bujtinat me materiale ekologjike, kashtë dhe dru, duke e bërë të prekshme çdo detaj të jetesës në mal.
Kryeministri Rama i ftoi ata të aplikojnë për të përfituar nga programi “Paketa e Maleve”, për të zgjeruar më tej aktivitetin e tyre. Kreu i qeverisë bëri të ditur se shumë shpejt do të shpallet edhe një mbështetje të re financiare.
“Agroturizmi nuk ka taksa. TVSH e kemi bërë për agroturizmin 6%. Ne tani kemi një program të ri që do ta shpallim së shpejti që do të japim mbështetje financiare për këto lloj aktivitetesh. Ju e merrni menjëherë atë mbështetje financiare. Është një mbështetje e kombinuar kredi e butë me grante”, tha Rama.
Kryeministri ripërsëriti apelin për emigrantët që të kthehen të jetojnë në Shqipëri, ndërsa rikujtoi kostot e jetesës jashtë.
Fusha e agroturizmit në Shqipëri ka filluar të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë të huaj, duke ndikuar dhe në rritjen e kontributit të këtij sektori në industrinë e turizmit në vend.