Paketa e re fiskale, cila është dhe kush përfiton?
Qeveria ka mbajtur të pandryshuar shumicën e lehtësive fiskale për vitin 2024. Televizioni publik ka evidentuar politikat e reja fiskale për vitin e ardhshëm dhe sektorët që i përfitojnë. Ndiqni kronikën në vijim e gazetarit Bardhi Sejdarasit.
Nuk ka një numër të lartë masash të reja në paketën fiskale që shoqëron buxhetin e vitit 2024. Ato që janë paraqitur për miratim kanë pasur asistencën e Bankës Botërore. Qeveria shqiptare ka vendosur të ofrojë një numër të kufizuar masash të reja fiskale, për shkak të ndryshimeve ligjore të miratuara në vitet dy vitet e mëparshme. Këto të fundit, do gjenerojnë të ardhura shtesë për shkak të masave të parashikuara që të hyjnë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024.
Vetë Ministria e Financave dhe Ekonomisë është kujdesur të deklarojë se “ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal vështirësojnë absorbimin e shpejtë të tyre dhe njëkohësisht krijojnë probleme me planifikimin afatgjatë të biznesit nga ana e operatorëve ekonomikë”.
Po çfarë parashikon paketa e re fiskale 2024?
a. Nuk ka rritje tjetër të akcizës së cigareve, përveç asaj të miratuar në vitin 2022 për periudhën 2022-2026.
b. Për mallrat r tjerë të akcizueshëm, rritja çdo dy vjet e akcizës për shkak të indeksit të cmimeve, të kufizohet me një nivel maksimal prej 1.5 % çdo dy vjet.
c. Propozohet rritja e taksës së karbonit, si mënyrë e gjenerimit të të ardhurave nga taksat e karbonit që i grumbullohen shtetit shqiptar dhe jo vendeve të tjera.
d. Eshtë parashikuar përjashtimi nga TVSH në importin e gjedhëve të mbarsur.
e. Eshtë parashikuar përjashtimi nga TVSH i koshereve me bletë.
Shpenzimet e mësipërme tatimore, konsiderohen paksim i të ardhurave të buxhetit si rezultat i lehtësirave fiskale ose normave preferenciale të vendosura për kategori të caktuara tatimpaguesish, veprimtarish apo industri të caktuara. Analiza e përjashtimeve ligjore dhe përcaktimi i benchmark-ut, që është normë në të gjithë vendet, u krye me asistencë të Bankës Botërore.
Gazetar Badhi Sejdarasi