Pakica malazeze në Shkodër / Kreu i “Montenegro”: Të rikthehen mbiemrat tradicionalë dhe arsimi në gjuhën amtare
Minoriteti malazez i vendosur në Shkodër dhe në disa fshatra të Malësisë së Madhe , megjithëse i integruar natyrshëm në shoqërinë shqiptare, ka pretendimet e veta modeste, si arsimimin në gjuhën amtare dhe rikthimin e mbiemrave tradicionalë familjeve minoritare.
Kryetari i Shoqatës “Montenegro” në Shkodër, Alban Sekja, në një intervistë për RTSH parashtron dy kërkesat kryesore hapjen e klasave fillore në gjuhën malazeze dhe njohjen e mbiemrave tradicionalë.
Për momentin kërkesat e tyre nuk kanë gjetur zbatim, por qeveria shqiptare duke bashkëpunuar me atë të Malit të Zi , sipas kreut të kësaj shoqate i kanë çelur dritën jeshile që të angazhohen seriozisht dhe t’i marrin në konsideratë kërkesat e bëra nga këto pakica kombëtare.
Minoriteti malazez, është i vendosur prej kohësh në rajonin e Shkodrës. Anëtarët e këtij komuniteti, njihen dhe si podgoriçanë. Me daljen e rezultateve të Censusit shoqata “Montenegro”, do të njihet me numrin zyrtar të këtij minoriteti në Shkodër.