“Panairi i Javës Europiane” në Shirokë/ Ambasadori i BE: Të gjithë jemi të barabartë, BE union vlerash
Këtë të shtunë Shiroka ishte kryeqendra e çeljes së Panairit të Javës së Europës. Të pranishmit vizituan stendat e bizneseve dhe subjekteve financuar nga BE. I pranishëm në ceremoninë e hapjes së Javës së Evropës, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, tha se Unioni bazohet mbi disa vlera dhe mbi të gjitha është barazia.
“Kur Shqipëria të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian, nuk do të bëhet pjesë vetëm e një komuniteti ekonomik, por edhe të një komuniteti vlerash. Po të shohësh nenin 2, thuhet se Bashkimi Evropian bazohet mbi disa vlera dhe kjo përfshinë barazinë. Të mos harrojmë se në shoqërinë tonë jemi të gjithë të barabartë”, tha ambasadori Gonzato. Nënkryetari i Bashkisë Shkodër Onid Bejleri u shpreh se Europa është destinacioni jo vetëm i Shkodrës por gjithë Shqipërisë. Panairi “Java e Europës” do të qëndrojë i hapur gjatë gjithë ditës ndërsa do të zhvendoset edhe në disa qytetet të tjera të Shqipërisë.