Panairi i librit ”Leipzig 2024” – Letërsia shqipe pjesë e diskutimeve ndërkombëtare
Pas nismave të ndërmarra për leximin dhe nxitjen e shkrimtarëve të rinj duke krijuar platforma botimi e promovimi, Shqipëria ka marr pjesë edhe këtë vit në Panairin e Leipzig, duke ju bashkuar jo vetëm një feste evropiane të librit, por edhe duke synuar shkëmbime kulturore, Motoja e Panairit të Leipzig për vitin 2024 këtë vit ka qenë “Kush lexon ende?”, ndërsa vetë motoja e stendës së Shqipërisë është “Mos vështro pas” një reflektim mbi historinë, të shkuarën por edhe të ardhmen nën një koncept filozofik përmes leximit. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në këtë ngjarje të madhe të librit botëror, ka pasur ketë një program të mbushur me aktivitete dhe diskutime mbi librin shqip duke mbështetur autoret e rinj.
“Ishin ditë shumë të bukura për librin shqip, për autorët shqiptar që ne kishim ftuar në këtë panair. Shqipëria pati disa panele shumë interesante me temën qendrore të këtij panairi që është një temë universale që na përfshin të gjithëve dhe një temë gati dhe sfiduese, kush “lexon akoma” ishte tema e këtij panairi. Autorët shqiptar të cilët ne i patëm pjesë të paneleve ishin autorë të rinj. Krahas këtyre autorëve, kishim të pranishëm Rita Petron, Stefan Capaliku, Mimoza Hysa”, tha drejtoresha e Qendrës së Librit, Alda Bardhyli.
Prej vitit 1994, Panairi i Leizig-ut ndan dhe vlerësime për pjesëmarrësit. Çmimi i Librit Leipzig për Kuptimin Evropian është një nga çmimet më prestigjioze të letërsisë në Gjermani. Shqipëria u bë pjesë e Panairit të Leizig-ut për herë të parë në vitin 2015.