Papa Françesku: Njerëzit LGBTQ+ janë të mirëpritur, por duhet t’u binden rregullave të kishës
Papa Françesku ka lënë të kuptohet se mund të jetë i hapur për dhënien e bekimit nga Kisha katolike të martesave të personave të së njëjtës gjini . Duke iu përgjigjur një grupi kardinalësh që e pyetën për këtë çështje, Ati i Shenjtë tha se çdo kërkesë për bekim martese duhet të trajtohej me mirësi baritore.
“Nuk mund të jemi gjyqtarë që vetëm mohojnë, refuzojnë dhe përjashtojnë, u shpreh papa, duke theksuar megjithatë se Kisha ende i konsideronte marrëdhëniet mes personave të së njëjtës gjini si mëkat dhe se nuk njihte martesat mes tyre. Kisha e konsideron martesën një bashkim ekskluziv, të qëndrueshëm dhe të pazgjidhshëm ndërmjet një burri dhe një gruaje, të hapur natyrshëm për të lindur fëmijë“, shpjegoi Ati i Shenjtë, i cili gjithashtu vuri në dukje se maturia baritore duhet të dallojë në mënyrë adekuate nëse ka forma bekimi, të kërkuara nga një ose më shumë njerëz, të cilat nuk përcjellin një koncept të gabuar të martesës.
“Sepse kur kërkon një bekim, shprehet një kërkesë për ndihmë nga Zoti, një lutje për të qenë në gjendje të jetojmë më mirë, një besim të një Ati që mund të na ndihmojë të jetojmë më mirë”, vijoi ai.
Në kishën katolike, një bekim është një lutje apo kërkesë që zakonisht paraqitet nga një klerik që i kërkon zotit të shohë me mirësi personin apo personat që bekohen.
Ipeshikvët në një numër vendesh, përfshi Belgjikën dhe Gjermaninë kanë filluar t’i lejojnë priftërinjtë të bekojnë çiftet e së njëjtës gjini, por pozicioni i autoriteteve të kishës është ende i paqartë.