Paqe midis Vllaznisë e Erzenit
Barazim në Loro Boriçi të Shkodrës midis Vllaznisë e Erzenit. Të dy golat u shënuan në pjesën e parë dhe përpjekjet e shumta të të dyja skuadrave nuk sollën më gola të tjerë.
Vllaznia dhe Erzeni nuk shkuan më larg se një barazim 1-1 midis tyre në stadiumin Loro Boriçi ndonëse rastet nuk iu munguan për të shënuar më tepër gola. Të dyja skuadrat e nisën vrullshëm ndeshjen në kërkim të golit, por ishte Vllaznia që iu afrua më tepër, ndërkohë që shijakasit patën një pretendim për karton të kuq për vendasit që në minutën e 13-të për një faull ndaj Mihanës, pretendim që u hodh poshtë nga gjyqtari.
Përpjekjet e shkodranëve u shpërblyen në minutën e 28-të, kur Bekim Balaj shënoi golin e 17-të në këtë kampionat. Kuqeblutë kërkuan të shfrytëzonin momentin e mirë dhe sulmuan për golin e dytë, por ishte Erzeni që barazoi, me Blazeviç.
Pjesa e parë u mbyll 1-1, ndërsa në të dytën edhe miqtë ishin më aktivë, duke bërë që loja të kishte aksione të shpejta nga të dyja skaudrat në kërkim të golit të fitores. Megjithatë, asnjëra nuk arriti të tundte më rrjetën, duke u ndarë me barazimin që ishte rezultat i drejtë për atë që dhanë në fushë.