“Paqe” në Shqipëri-Ishujt Faroe/Kuqezinjtë shkojnë në Europian si kryesues të grupit E
Ndonëse pritej ndryshe, pasi tifozëria e zjarrtë kuqezi kërkonte fitore ndaj Ishujve Faroe, gjithësesi, barazimi pa gola e çon kombëtaren e Shqipërisë në Europianin “Gjermani 2024”, si kryesues të grupit E. Sfida e luajtur mbrëmjen e djeshme në Stadiumin “Arena Kombëtare” të Tiranës të mbushur në kapacitet maksimal, përballë përfaqësueses së Ishujve Faroe, trajneri Silvinjo ka bërë 5 ndryshime në 11-shen e parë, teksa Strakosha në portë, Balliu në mrojtje, krahas Ismajlit, Gjimshitit dhe Mitajt, Bare në mesfushë, krahas Asllanit dhe Bajramit, dhe Uzuni e Daku në sulm krahas Asanit e nisën nga minuta e parë. Në fakt, kjo pjesë e parë ka qenë e vakët, me miqtë që mbrohen mirë dhe pamvarësisht ngulmimeve të Bajramit, Uzunit dhe Dakut mbyllet me rrjeta të paprekura. E njëjta histori dhe në pjesën e dytë, nën ritmin e një loje të dobët, ndoshta më e dobta për kuqezinjtë në këto kualifikuese, ku kanë munguar rastet konkrete për shënim. Trajneri Silvinjo ka ndërhyrë në formacion duke ndryshuar të gjithë repartin e sulmit, por pa arritur të gjejë zgjedhjen e duhur, që do e dërgonte skuadrën kuqezi drejt golit. Por, për hirë të së verteteës, minutat e fundit të ndeshjes u zhvilluan në portën e Strakoshës duke vënë nën presion mbrojtjen kuqezi, me Ishujt Faroe që kërkuan të shënojnë, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, 0-0. Me këtë barazim, Shqipëria ka arritur të sigurojë vendin e parë në Gupin E të këtyre kualifikueseve me 15 pikë, ndjekur nga Republika Çeke po me 15 pikë që kualifikohet si e dyta, me Poloninë në vendin e tretë me 11 pikë, Moldavia 10 dhe Ishujt Faroe 2 pikë. Ashtu siç ishte paralajmëruar pas përfundimit të ndeshjes me Ishujt Faroe, në Air Albania ka filluar festa e kualifikimit të Kombëtares kuq e zi në Evropian me fishekzjarre dhe fjalime të trajnerit Silvinjo dhe lojtarëve të Kombëtares. Më pas, një festë e tillë është zhvendosur në rrugët dhe sheshet e Tiranës, ku një numër i madh makinash veshur me flamur kuqezi pushtuan rrugët, ku me brohori e bori makinash qytetarët festuan suksesin historik të kualifikimit për herë të dytë të Shqipërisë në finalet e Kampionatit Europian.