Paralajmërimi i Putin për furnizimin me armë të Koresë së Veriut, reagon SHBA
Komentet e presidentit rus Vladimir Putin të enjten (20 qershor) se Moska mund të furnizojë me armë Korenë e Veriut, pas nënshkrimit të një pakti të mbrojtjes me Phenianin janë konsideruar si tepër shqetësuese nga ana e SHBA-ve.
“Ofrimi i armëve ruse për Phenianin “do të destabilizonte gadishullin Korean, natyrisht, dhe potencialisht … në varësi të llojit të armëve që ata ofrojnë … shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që vetë Rusia i ka mbështetur”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Methju (Matthew) Miller.
Sekretari amerikan i shtetit, Antoni (Antony) Blinken dhe ministria e jashtme e Koresë së Jugut thanë se traktati midis Rusisë dhe Koresë së Veriut përbëjnë një “kërcënim serioz” për paqen dhe stabilitetin në gadishullin Korean. Blinken tha se SHBA do të konsideronte “masa të ndryshme” në përgjigje të paktit.
Gjatë një vizite shtetërore në Vietnam, Putin tha se furnizimet reciproke të armëve ruse në veri do të ishin një përgjigje e përshtatshme për furnizimin e armëve nga perëndimi për forcat ukrainase.
“Ata që i dërgojnë këto [raketat në Ukrainë] mendojnë se nuk po na luftojnë, por unë thashë, duke përfshirë Phenianin, se ne më pas rezervojmë të drejtën për të furnizuar me armë rajone të tjera të botës, në lidhje me marrëveshjet tona me Korenë e Veriut. Unë nuk e përjashtoj këtë”, tha Putin.
Putin, i cili u takua me Kimin për herë të dytë në nëntë muaj, paralajmëroi gjithashtu Korenë e Jugut se do të bënte një “gabim të madh” nëse vendos të furnizonte me armë Ukrainën.