Paralajmëron SHBA: Qyteti kryesor i Ukrainës mund të bjerë në duart e Rusisë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar se Rusia mund të pushtojë qytetin kyç lindor të Ukrainës, Avdiivka. Deklarata është bërë nga zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Xhon Kirbi (John Kirby), i cili ka përmendur më tej edhe mungesën e municioneve të Ukrainës.
“Avdiivka rrezikon të bjerë nën kontrollin rus”, tha Kirbi.
Në konferencën e së enjtes (15 shkurt) në Uashington, Kirbi tha se Avdiivka mund të bjerë kryesisht “sepse forcave ukrainase në terren po i mbarojnë municionet e artilerisë”.
“Rusia po dërgon valë pas valë forcash të rekrutuar për të sulmuar pozicionet e Ukrainës. Dhe për shkak se Kongresi nuk e ka miratuar ende projektligjin shtesë, ne nuk kemi qenë në gjendje t’i ofrojmë Ukrainës predhat e artilerisë që i duhen dëshpërimisht për të ndërprerë këto sulme ruse. Forcat ruse po arrijnë tani llogoret ukrainase në Avdiivka dhe po fillojnë të mposhtin mbrojtjen e Ukrainës”, tha ai.
Ndërsa presidenti ukrainas Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelensky) u zotua të bëjë gjithçka për të “shpëtuar sa më shumë jetë ukrainase”.
Trupat ruse kanë arritur përfitime në Avdiivka, duke kërcënuar se do ta rrethojnë atë.
Qyteti, i cili është shkatërruar pothuajse plotësisht, shihet si një portë për në Donetsk aty pranë, kryeqyteti rajonal ukrainas i pushtuar nga luftëtarët e mbështetur nga Rusia në vitin 2014 dhe më vonë i aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Moska.
Presidenti rus Vladimir Putin filloi një pushtim të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.