Parandalimi dhe hetimi i krimeve zgjedhore, Prezenca e OSBE dhuron pajisje për Task-Forcën e SPAK

Prezenca e OSBE dhuron pajisje

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka dhuruar sete pajisjesh kompjuterike për të forcuar kapacitetet e Task-Forcës së re të SPAK-ut për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Nisma vjen si pjesë e përpjekjeve për të mbështetur Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

25 laptopë, 25 printera/skanera dhe aksesorë do të përdoren nga 13 grupet hetimore në terren si dhe nga struktura qendrore në Tiranë. Grupet në terren do të mbulojnë të 12 qarqet e Shqipërisë dhe do të përbëhen nga prokurorët e SPAK-ut, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), agjentë financiarë dhe personel mbështetës. Ato do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me keqpërdorimin e administratës publike dhe të infrastrukturës shtetërore, si edhe me përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhje.

Kjo asistencë teknike do të pasohet nga trajnime për rritjen e kapaciteteve, të cilat synojnë forcimin e aftësive të prokurorëve të posaçëm, hetuesve financiarë dhe hetuesve të BKH-së për mbledhjen, analizimin dhe hetimin e provave që lidhen me krimet zgjedhore.

Gjatë ceremonisë së dhurimit, në mjediset e SPAK-ut, Kryetari i Prezencës, ambasadori Michel Tarran dhe drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, theksuan rëndësinë e mekanizmave të fortë institucionalë për mbrojtjen e proceseve zgjedhore.

“Sot nuk ka të bëjë vetëm me pajisjet – ka të bëjë me fuqizimin e institucioneve që kontribuojnë në forcimin e demokracisë në Shqipëri. Dua të përgëzoj SPAK-un për nismën dhe përkushtimin për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore. Shpresojmë që rritja e bashkërendimit dhe veprimit nga institucionet përgjegjëse do të shkurajojnë shkelësit e mundshëm të ligjit dhe jemi të bindur se puna juaj do të kontribuojë në sigurimin e zgjedhjeve pa ndërhyrje të paligjshme”, tha Tarran.

Kreu i SPAK shprehu mirënjohjen OSBE-së ndërsa theksoi se pajisjet do të ndihmojnë në parandalimin dhe hetimet të krimeve zgjedhore.

Zgjedhjet janë në themel të shtetit demokratik. Ne i shprehim mirënjohjen tonë OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme. Këto pajisje do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të prokurorëve të posaçëm dhe hetuesve në evidentimin në kohë dhe ndjekjen efektive të krimeve zgjedhore”, tha Dumani.

Dhurimi i pajisjeve u bë i mundur si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe proceset zgjedhore në Shqipëri”, i cili financohet nga Suedia, Zvicra, Misioni i SHBA-së në OSBE dhe Polonia.

Prezenca e OSBE-së mbetet e angazhuar për të mbështetur institucionet shqiptare në forcimin e mëtejshëm të integritetit zgjedhor.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.