Parandalohet incidenti diplomatik, Kreu i Kuvendit në Maqedoninë e Veriut: Situata me Osmanin u tejkalua

Ngjarja e ndodhur më 1 gusht në aeroportin e Shkupit me kontrollin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani për pak sa nuk është shndërruar në një incident diplomatik  mes Prishtinës dhe Shkupit, ndërsa kryetari i Kuvendit në Maqedoninë e Veriut Afrim Gashi tha se sigurimi i tij ka parandaluar një ngjarje të tillë.

“Kam ndërhyrë në pjesën e qetësimit të situatës për të shmangur një incident diplomatik dhe mendoj se ka mbaruar gjithçka siç duhet. Nëse dikush i ka tejkaluar kompetencat duhet të përgjigjet, në të kundërt nuk ka kuptim shteti i së drejtës dhe drejtësia, nëse nuk jemi objektivë dhe nuk respektojmë ligjet dhe protokollet tona.” , u shpreh Kryetar i Kuvendit në Maqedoninë e Veriut, Afrim Gashi.

Më herët, presidenca e Kosovës akuzoi autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se më 1 gusht, presidentes Vjosa Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit. Autoritetet maqedonase i hodhën poshtë akuzat, por thanë se kanë nisur hetimet. Ndërsa vetë Aeroporti tha se departamenti i sigurisë ka kryer një kontroll standard të sigurisë. Kreu i BDI-së Ali Ahmeti duke reaguar mbi incidentin e quajti atë një skandal të papranueshëm diplomatik.

“E dënoj në formën më të ashpër të mundshme. Lus të gjithë vëllezërit dhe motrat në Kosovë, por edhe qytetarët tanë, që t’i falin për arsye se nuk dinë se ç’bëjnë.” – shkruan Ahmeti në Facebook.

Për të njëjtën ngjarje reagoi edhe zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti.

 “Institucionet e shtetit kanë reaguar menjëherë për të zgjidhur keqkuptimin e ndodhur në Aeroportin e Shkupit. Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani i është mundësuar udhëtimi pa shqetësime. Keqkuptimi i shkaktuar mes Ministrisë së Brendshme, Aeroportit të Shkupit dhe sigurimit të Presidentes është sqaruar, ndërsa situata është tejkaluar pa pasoja” u shpreh ai.

Ai i bëri thirrje partisë shqiptare në opozitë BDI  që të tregojë seriozitet dhe pjekuri politike ndërsa theksoi se raportet ndërshtetërore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë të shkëlqyera.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.