Parandalohet përshkallëzimi i një rasti dhune në familje, pranga 37-vjeçarit

Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë së Lezhës ka parandaluar përshkallëzimin e një rasti dhune në familje dhe ka çuar në arrestimin e një 37-vjeçari, i cili dhunoi bashkëshorten dhe mbante në banesë armë zjarri pa leje.
Pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Policisë së Komisariatit Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, organizuan kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit M. G., banues në Lezhë. Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia sekuestroi një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit.”