Parcela me kanabis në zonën ushtarake të Zall Herrit, Peleshi: Pezullohen nga de…
Parcela me kanabis në zonën ushtarake të Zall Herrit, Peleshi: Pezullohen nga detyra të gjithë personat përgjegjës
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar në lidhje me zbulimin e një parcele me 125 rrënjë kanabis në territorin e repartit ushtarak në Zall Herr.
Në një postim në Facebook, Peleshi, teksa përshëndet bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Ushtarake në këtë operacion, bën me dije se janë pezulluar nga detyra të gjithë personat përgjegjës.
“Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Ushtarake, bëri të mundur evidentimin dhe më pas asgjësimin e 125 bimëve kanabis, të cilat ishin kultivuar në një zonë të pyllëzuar, në territorin e zonës ushtarake të Zall Herrit. Menjëherë janë pezulluar nga detyra të gjithë personat përgjegjës. Dënojmë me forcë çdo aktivitet të kundërligjshëm. Inkurajojmë organet ligjzbatuese të bëjnë detyrën në çdo rast!”, shkruan Peleshi.
Zbulimi i rrënjëve të kanabisit çoi në arrestimin e Shef Seksionit të Sigurisë Specialistit për Zbulimin dhe Specialistit të Sigurisë.
Ata akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa gjithashtu kanë nisur hetimet edhe për Komandantin e repartit, P. D., 57 vjeç dhe zv/komandantin, P. H., 52 vjeç.