“Paris 2024” bëhet gati baza ushtarake
Kur kanë mbetur vetëm dy javë deri në fillimin e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, kryeqyteti francez po zbulon gradualisht vendet e tij olimpike, pra aty ku do të zhvillohen garat e kësaj veprimtarie si dhe fan zonat. Këto vende, natyrisht, do të duhet të sigurohen gjatë gjithë ditëve të olimpiadës, e kjo është me të vërtetë një sfidë e madhe. E për ta bërë këtë sa më mirë, një kamp i madh ushtarak është ndërtuar në Paris, kampi “Caporal Alain-Mimoun”, më i madhi në kryeqytet që nga Lufta e Dytë Botërore. I vendosur në lagjen e 12-të, në buzë të Bois de Vincennes, ai mbulon një sipërfaqe prej 30,000 m² edhe iu ofron të gjithë ushtarëve të ndërhyrjes së shpejtë, kushtet e nevojshme për të jetuar. Vendndodhja është strategjike: më pak se 30 minuta nga të gjitha vendet ku do të zhvillohen garat e olimpiadës e fan zonat. Ai është i gatshëm të reagojë në çdo rast emergjence. Gjatë Lojërave, aty do të strehohen deri në 4,500 ushtarakë të forcave të specializuara. Tani kanë filluar të vijnë në kamp ushtarët e parë, e numri i tyre do të rritet gradualisht derisa të arrijnë kapacitetin maksimal një javë para fillimit të Lojërave. I ndërtuar në vetëm 65 ditë, kampi është një arritje teknike dhe logjistike.