Parlamentaret 2025, PS publikon 186 emrat e kandidatëve për 12 qarqet

Partia Socialiste ka publikuar e para emrat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
186 kandidatët për 12 qarqet e vendit janë bërë publike një për një nga drejtuesit politikë të qarqeve.
Ashtu saç ishte paralajmëruar, në listat e mbyllura, ku janë vendosur deputetët e sigurt, bie në sy përfshirja e emrave të rinj, pjesa më e madhe nga platforma “Deputeti që Duam”.
Natyrisht nuk kanë munguar as surprizat, si në listat e mbyllura, ashtu dhe të hapura.
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, drejtuese politike e qarkut të Tiranës për PS-në në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, prezantoi skuadrën me 49 emra kandidatësh, ku i pari në listën e mbyllur është kreu socialist Edi Rama, i pasuar nga vetë Manastirliu, Elisa Spiropali, Lindita Nikolla, Adea Pirdeni, Taulant Balla dhe Iris Luarasi, ndërsa bie në sy që pjesë e listave të hapura janë Denaj, Braçe, Majko, Xhaçka dhe Mimi Kodheli e të tjerë.
Për qarkun e Fierit, emrat janë prezantuar nga drejtuesja politike Belinda Balluku, e cila kryeson dhe listën e mbyllur prej 5 kandidatësh, ndërsa 16 emra do të jenë tek lista e hapur.
Për qarkun e Elbasanit, në 19 emrat në listë të mbyllur është drejtuesi i qarkut Arbjan Mazniku, që ndiqet nga ministrja Bora Muzhaqi dhe Evis Kushi.
Deputeti i PS-së, Eduart Shalsi, njëkohësisht kreu politik për qarkun e Kukësit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, prezantoi listën me emrat e kandidatëve të listës së hapur dhe të mbyllur.
Në listën e mbyllur ndodhet vetëm emri i Shalsit, pasi Kukësi ka vetëm 3 mandate deputetësh.
Bie në sy përfshirja në listën e hapur e ish-deputetit të PD-së, ushtarakut Alban Zeneli.
Kryebashkiakja e Durrësit, njëkohësisht drejtuese politike e PS-së në të njëjtin qark, Emirjana Sako, ka bërë me dije emrat e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 11 majit.
Drejtuesi politik i PS në Qarkun Vlorë, Bledi Çuçi, ka bërë me dije 16 emrat e kandidatëve, ku listën e mbyllur e kryeson vetë ai.
Drejtuesi politik i Shkodrës, Benet Beci, prezantoi listën e deputetëve për qarkun e Shkodrës, ku bie në sy kryesimi i listës së mbyllur nga Marjana Koçeku, një prurje nga platforma “Deputeti që Duam”.
Nga ana tjetër dy deputetët aktualë të Shkodrës, Edona Bilali dhe Frrok Gjini, do të jenë në listën e hapur, ndërsa janë larguar Paulin Sterkaj dhe Agron Çela.
Për qarkun e Lezhës, lista me 9 emra u publikua nga drejtuesi politik, Ulsi Manja, i cili kryeson dhe listën e mbyllur, ku bie në sy një emër prej diasporës.
Për këto zgjedhje, drejtuesi politik Niko Peleshi ka zbuluar 13 emrat, ku në listë të mbyllur është vetë Peleshi, Romina Kuko dhe Gentian Lakollari.
Lista e Partisë Socialistë për Qarkun Gjirokastër është prezantuar nga Mirela Kumbaro, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit. Në garë janë 5 kandidatë. Ministrja Kumbaro është në listë të mbyllur dhe 4 kandidatura të tjera janë në listë të hapur.
Drejtuesi politik i PS-së në Qarkun Berat, Ervin Demo, ka publikuar 9 kandidatët socialistë për deputet në këtë qark, të cilën ai e quajti si harmoni midis të rinjve dhe të vjetërve.
Blendi Klosi ka bërë publike 7 emrat për qarkun e Dibrës, ku 6 prej tyre garojnë për herë të parë.
Të 186 emrat e kandidatëve të PS u bën publike pas takimit të kryeministrit Edi Rama në selinë rozë me drejtuesit politikë të 12 qarqeve.