Parlamenti i kërkon BSH të mbrojë konsumatorët nga institucionet financiare jobanka
Parlameti do t’i kërkojë Bankës së Shqipërisë të hartojë ndryshime ligjore që do të shtojnë mbrojtjen e konsumatorit në raport me subjektet financiare jobanka.
Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2023”, kërkon angazhim në hartimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore, nën asistencën e institucioneve ndërkombëtare, për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka.
Gjithashtu, Kuvendi rekomandon edhe përfshirjen në aktet ligjore të ndryshimeve rregullative të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, në lidhje me vendosjen e tavaneve të normave të interesit të kredisë apo dhe me penalitetet e akumuluara në rast të vonesave për të mbajtur kostot e ndërmjetësit financiar në nivele të pranueshme për klientët kredimarrës.
Sipas projektrezolutës, Bankës së Shqipërisë i kërkohet të analizojë kuadrin rregullator të licencimit të Institucioneve Financiare Jobanka, me synim forcimin e mëtejshëm të kritereve për licencimin e këtyre subjekteve si dhe të hartohet një dokument i politikës së licencimit për bankat dhe jo-bankat, ku të mbahen parasysh elemente të tillë si mbrojtja e konsumatorit, vendi i origjinës së pronarëve fundor, eksperienca në sistemet financiare europiane e subjekteve që aplikojnë për licencim.
Kuvendi kërkon që Banka e Shqipërisë të rrisë më tej bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë, Shoqatën Shqiptare të Bankave, Shoqatën e Mikrofinancës dhe me aktorë të tjerë të sektorit financiar jobankar, për të propozuar përmirësimet e nevojshme ligjore në kuadër të zgjidhjes së problematikave të evidentuara në fushën e mikrofinancës.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë duhet të sigurojë përmirësimin e treguesve të transparencës të të gjitha institucioneve që licencohen nga Banka e Shqipërisë, veçanërisht të Institucioneve Financiare Jobanka, në mënyrë që informacioni i pasqyruar prej tyre të jetë i plotë, me një gjuhë të thjeshtë dhe lehtësisht i aksesueshëm për konsumatorët, nëpërmjet të gjitha kanaleve të komunikimit, qofshin ato fizike apo dixhitale.
Projektrezoluta, mes të tjerash, kërkon gjithashtu nga Banka e Shqipërisë të sigurojë implementimin brenda vitit 2024 të Open Banking (bankingut të hapur), si dhe mundësimin për shtimin e opsioneve për transferim parash dhe pagesat bankare me qëllim uljen e kostove në çdo transaksion.
Sipas Monitor