Parlamenti i Nxënësve-Manastirliu: Manastirliu: Përmirësojmë cilësinë e proceseve mësimore, do keni disa përfitime
Është zhvilluar sot (12 dhjetor) seanca plenare e Parlamentit të nxënësve nën kujdesin e kryeparlamentares Lindita Nikolla dhe Ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj u shpreh se nxënësit janë aleati i saj më i madh në ndërtimin e politikave të arsimit.
Ajo u shpreh se Parlamenti i nxnësve do të ketë disa përfitime, sikurse: aftësitë drejtuese, ide më të qarta për demokracinë, proceset ligjvënëse dhe kontributin që gjithsecili mund të japë në shoqëri.
“Parlamenti i nxënësve është organi më i lartë përfaqësues i qeverive të nxënësve në këtë nivel dhe ka për qëllim fuqizimin e pjesëmarrjes së nxënësve dhe proceseve që lidhen me politikat, programet dhe përmirësimin e cilësisë së proceseve mësimore dhe sistemit parauniversitar në tërësi.
Ne orientohemi në gjithë politikat tona dhe kemi interesin më të lartë të fëmijëve kur ndërtojmë politikat tona të arsimit. Dhe ju nxënësit jeni aleati im më i lartë në këtë drejtim.
Ne do përfitojmë nga ju ide, sugjerime, adresime të problematikave por dhe ju do përfitoni shumë. Do përfshiheni në këtë organizim duke përfituar aftësitë drejtuese që duhen edhe nesër, do krijoni ide më të qartë për demokracinë, proceset ligjvënëse dhe kontributin që gjithsecili mund të japë në shoqëri.
Kam besimin se do bëni më të mirë tuaj për të përfaqësuar zërin tuaj dhe shokëve e shoqeve tuaja”, tha Manastirliu.
Ministrja shprehu kënaqësinë që Parlamenti i nxënësve ka në përbërje të tij më shumë vajza.
“Ky parlament ka përfshirë me mijëra nxënës të sistemit arsimor.
Jam shumë e kënaqur që ju sot keni në përbërje shumë nga ata që janë nxënës që na bëjnë krenar.
Ky Parlament i nxënësve ka në përbërje të tij dhe nxënës me aftësi speciale, nxënës përfaqësues të minoriteteve dhe mbi të gjitha jemi krenarë që ky parlament i nxënësve ka mbi 70% të përbërjes vajza. Në qeveri ne jemi më shumë gra dhe në Parlament vit pas viti po rriten përqindja e grave në Parlament, në Këshillat Bashkiakë., Barazia gjinore në të gjitha proceset që kanë të bëjnë me vendimmarrje politike po rritet dita ditës që flet për fuqizim të rolit të gruas dhe vajzave”, tha ajo.