Parlamenti spanjoll, jehonë ekspozitës në Shkodër/Faqja zyrtare shkruan për Gjin Aladro Kastriotin dhe ekspozitën në Muzeun Historik
Ekspozita “Një mëmëdhetar nga Spanja” që u çel në Muzeun Historik të Shkodrës në ditët e para të muajit mars të këtij viti në bashkëpunim me Bibliotekën “Marin Barleti”, ka marrë së fundmi vëmendjen e Parlamentit të Mbretërisë së Spanjës.
Në një publikim të nxjerrë në faqen zyrtare të Parlamentit Spanjoll shfaqet një artikull mbi jetën e Gjin Aladro Kastriotit. Artikulli përveçse ndalet në veprimtarinë e tij diplomatike dhe prek shkurtimisht përfshirjen e spanjollit në jetën parlamentare të vendit përgjatë vitit 1872, shkruan edhe për ekspozitën e hapur me rastin e 110-vjetorit të vdekjes së Gjin Aladro Kastriotit, e cila evidenton kontributet e tij në shërbim të çështjes shqiptare gjatë Rilindjes Kombëtare.
Në ekspozitën “Një mëmëdhetar nga Spanja” u shpalosën materiale të rralla historike nga Fondi Albanologjik i Bibliotekës Publike “Marin Barleti” dhe kopje të ndryshme dokumentesh që bënin fjalë për veprën pro-shqiptare të Don Aladro Kastriotit. Mes dokumenteve u shqua ballina e Letrave Kredenciale të Don Gjin Aladro Kastriotit si deputet në Kortesin spanjoll.
Gjatë organizimit të ekspozitës, nismëtari dhe kuratori i saj, Xherardo Nikjari, bashkëpunoi ngushtë me Arkivin e Parlamentit Spanjoll për të marrë lëndën arkivore në mënyrë që ekspozita e çelur në Muzeun Historik Shkodër të ishte sa më e plotë në aspektin e narracionit historik të jetës dhe veprimtarisë pro-shqiptare të Gjin Aladro Kastriotit.