Partia e Lirisë, plan për ulje të kostos së jetesës
Partia e Lirisë, partia e dytë më e madhe opozitare në vend, ka një plan për të rritur ekonominë dhe ulur kostot e jetesës.
Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, në një deklaratë për mediet tha se Shqipëria ka pagën minimale më të ulët në Evropë, ndërsa çmimet e ushqimeve janë më të larta sesa në Bashkimin Evropian.
“Dyfishimi i çmimeve të produkteve bazë e ka vështirësuar jetesën për mijëra shqiptarë, duke e rritur numrin e atyre që janë në kufijtë e mbijetesës. Shqipëria ka pagën minimale më të ulët në Evropë, kur krahasohet sipas fuqisë blerëse”, tha Xhixho.
“Shqiptarët harxhojnë shumë më tepër nga të ardhurat e tyre për produktet e shportës, krahasuar me Italinë që ka rroga shumë më të larta. Italianët me të ardhura mujore disafish më shumë, i blejnë më lirë produktet e shportës”, shtoi Xhixho.
Xhixho tha se “Partia e Lirisë ka një plan të detajuar për gjenerimin e rritjes më të lartë ekonomike, uljen e kostos së jetesës, ashtu edhe përmirësimin e saj me paga më të larta dhe me cilësi më të lartë të shërbimeve publike. Në të përfshihen: Rritja e pagave dhe pensioneve mbi nivelin e rajonit, ulja e kostos së jetesës përmes rritjes së prodhimit dhe agropërpunimit vendas, ulje e kostos së ushqimeve, ulje të kostos së karburanteve me mbi 20%, uljen e çmimit te energjisë elektrike për konsum familjar, liberalizim dhe subvencionim për energjinë diellore për konsum familjar si dhe përdorimi i burimeve natyrore për qëllime biznesi, duke financuar direkt fondin e pagave dhe të pensioneve”.