Partia katalanase çon në Parlament kërkesën që Spanja të njohë pavarësinë e Kosovës
Partia katalanase e Carles Puigdemont, “Junts per Catalunya” (Së bashku për Katalonjën), dërgoi një propozim në Parlament, me kërkesën që qeveria spanjolle ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Spanja është një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, bashkë me Qipron, Greqinë, Sllovakinë dhe Rumaninë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës që u shpall me 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore evropiane, ndërsa kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.
Partia Junts, e cila nuk është pjesë e qeverisë spanjolle, por votat e së cilës janë thelbësore për qeverinë e kryeministrit Pedro Sanchez, thekson në propozimin e saj se Kosova është shtet që është njohur nga 104 nga 193 shtete anëtarë të Kombeve të Bashkuara dhe 22 nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Në letër, mes tjerash, përmendet edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila në muajin korrik të vitit 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh më të drejtën ndërkombëtare.
“Refuzimi spanjoll për ta njohur një shtet që shfrytëzoi të drejtën e tij legjitime për Vetëvendosje, është një pengesë për politikën evropiane të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe ky refuzim është një faktor destabilizues në këtë zonë në një kontekst të shënuar nga luftë në Ukrainë, të cilën kjo pjesë e Evropës e përjeton me ankth të veçantë. Në këtë kuptim, nuk është e pranueshme që shteti spanjoll të ndajë të njëjtën strategji si Rusia, Kina ose Bjellorusia me refuzimin për ta njohur Kosovën”, thuhet mes tjerash në propozim.
Partia Junts, kujton faktin e nga janari i këtij viti Spanja njohu pasaportat e Kosovës, qytetarët e së cilës tani mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.
Në propozim theksohet se njohja e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që nuk e njohin, i mundëson asaj përparimin në procesin e integrimeve, ndërsa shprehet shqetësimi se disa shtete anëtare po përdorin mjete institucionale për të ndërlikuar procesin integrues të rajonit, përfshirë Kosovën.
“Për këto arsye dhe në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës në mbrojtje të së drejtës së saj për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga refuzimi i tij dhe të vazhdojë me njohjen e menjëhershme të Republikës së Kosovës”, thuhet në propozimin që u publikua pak ditë pasi Spanja vendosi njohjen e shtetësisë së Palestinës, shkruan VOA.
Nuk është e qartë se çfarë ndikimi mund të ketë në qasjen e ngurtë të qeverisë spanjolle një propozim i tillë, duke pasur parasysh se Madridi përballet me përpjekjet e Katalonjës për pavarësi nga Spanja.
Lideri i partisë katalanase, Carles Pudigemont, kishte bërë me dije dhjetorin e vitit të kaluar se do të kërkonin në Parlament që qeveria e Spanjës ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Ne gjithmonë e kemi ndjekur me shumë interes çështjen e Kosovës dhe gjithmonë kemi kërkuar nga qeveria spanjolle që ta njohë plotësisht Kosovën dhe një komb të pavarur. Në këtë mandat të ri parlamentar, ne do të insistojmë edhe një herë që Spanja të njohë Kosovën, por më lejoni të them se partia politike e Presidentit, Junts per Catalunya, nuk është pjesë e kabinetit spanjoll. Ne i japim mbështetje kësaj Qeverie vetëm nga jashtë dhe nuk kemi kapacitet të vendosim për çështjen e njohjes së Kosovës nga Spanja”, ka deklaruar ai.
Partia Junst shfrytëzoi votat e saj për qeverinë e kryeministrit Sanchez për të siguruar një ligj kundërthënës, i cili amniston qindra katalanas, që ishin përfshirë në përpjekjen për shkëputje të Katalonjës në vitin 2017.