Partizani ndalet në shtëpi, fitojnë Egnatia dhe Vllaznia
Ka përfunduar java e 20-të e kampionatit “Abissnet Superiore”. Sfida e parë e kësaj jave ishte ajo që u zhvillua në “Kukës Arena” mes Kukësit dhe Egnatias. Rrogozhinasit zhvilluan një ndeshje spektakolare dhe triumfuan me rezultatin e thellë 1-4.
Të premten u luajt edhe një tjetër sfidë që prodhoi spektakël në fushën e lojës mes Teutës dhe Tiranës në stadiumin “Niko Dovana”. Pavarësisht se bardheblutë ishin në avantazhin e dy golave, durrsakët ja dolën mbanë të barazonin rezultatin dhe në fund gjithçka përfundoi 2-2.
Të shtunën u zhvilluan edhe ndeshjet e tjera të javës. Takimi i parë i ditës ishte mes Erzenit dhe Vllaznisë. Shkodranët triumfuan me rezultatin minimal 0-1 dhe regjistruan fitoren e pestë radhazi në kampionat. Falë këtij triumfi tepër të rëndësishëm, Vllaznia u ngjit në vendin e tretë.
Në orën 17:00 u zhvillua edhe ndeshja e fundit e javës së 20-të. Në “Arenën e Demave” Partizani luajti ndaj Laçit dhe sfida përfundoi me fitoren e laçianve me rezultatin 1-2.
Ndërsa sfida Skënderbeu – Dinamo City është shtyrë për shkak të kushteve të rënduara atmosferike në qytetin e Korçës.
Pas përfundimit të javës së 20-të, Egnatia shkëputet akoma më shumë në krye të renditjes (43 pikë), duke çuar në 8 pikë diferencën me ndjekësit e Partizanit (35 pikë). Vllaznia ngjitet në vendin e tretë dhe tashmë është vetëm 3 pikë larg vendit të dytë. Nuk ndryshon situata në fundit e renditjes, me Teutën dhe Kukësin që qëndrojnë në zonën që të çon në Kategorinë e Parë.