Pas Serbisë, Ministrja e Jashtme belge viziton Kosovën
Ministrja e Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane, Tregtisë së Jashtme dhe Institucioneve Federale të Kulturës, të Belgjikës, Hadja Lahbib do të vizitojë këtë të premte (24 nëntor) Kosovën, ku do të pritet në një takim nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
“Të dy homologet do të zhvillojnë një takim dypalësh në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku edhe do të mbajnë konferencën e përbashkët për media”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë Lahbib vizitoi Serbinë, ku u takua edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Ivica Daçiq. Gjatë këtij takimi, Lahbib theksoi se Belgjika beson fuqishëm në potencialin e Serbisë për t’u bërë anëtare e BE-së dhe se ka mbështetjen e palëkundur të Brukselit në këtë përpjekje.
“Ne besojmë fuqishëm në potencialin e Serbisë për t’u bërë anëtare e BE-së. Ju keni mbështetjen tonë të palëkundur në këtë përpjekje,” tha Lahbib teksa sqaroi se vizita e saj lidhet me një pjesë të përgatitjeve për Presidenca e ardhshme e Belgjikës së Këshillit të Bashkimit Evropian, të cilën ata e marrin përsipër më 1 janar.