Pas sulmit kamikaz, Turqia godet objektivat e PPK-së dhe premton luftë ndaj terrorit
Turqia ka bombarduar 20 objektiva të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), pak orë pas sulmit kamikaz pranë parlamentit në kryeqytetin e saj.
Në shënjestër ishin depo, strehime dhe vendbanime në veri të Irakut, ku Ankaraja dyshon se ndodheshin elementë që ajo i konsideron “terroristë”.
PKK-ja më herët mori përsipër sulmin me bombë para godinës së Ministrisë së Brendshme, teksa parlamenti po bëhej gati të niste sesionin e ri plenar pas tre muajve pushim veror.
Dy persona që lëviznin me makinë ndaluan para portës së godinës shtetërore, kur njëri prej tyre u afrua pranë policëve dhe hodhi veten në ere. Tjetri u neutralizua nga plumbat e rojave të godinës, të cilët po ashtu morën lëndime.
Gjatë një fjalimi në parlament, presidenti turk Rexhep Tajip Erdoan (o. Recep Tayyip Erdogan) tha: “Banditët që rrezikuan paqen dhe sigurinë e qytetarëve nuk e arritën dot qëllimin e tyre dhe as nuk kanë për ta arritur kurrë.“
Presidenti Erdoan ka propozuar ndërtimin e një zone sigurie 30-kilometërshe përgjatë kufirit të saj me Sirinë për të mbrojtur jugun e vendit nga sulmet.