Categories: LajmeEkonomi

Pas tensioneve me deputetët demokratë, Ministri i Financave prezanton online buxhetin në Komisionin e Ekonomisë

Pas përplasjeve me deputetët e opozitës që nuk lejuan zhvillimin e mbledhjes, Komisioni i Ekonomisë e zhvilloi aktivitetin online, për t’i mundësuar ministrit të Financave, Ervin Mete prezantimin e buxhetit.

Në fjalën e tij, ministri Ervin Mete, bëri të ditur se projektbuxheti i vitit 2024 synon një rritje ekonomike të qëndrueshme, shpërndarje të mirëqenies për qytetarët, mbështetjen e punësimit cilësor, si edhe mbrojtjen e kategorive sociale, duke vijuar në të njëjtën kohë konsolidimin e mëtejshëm fiskal.

Sipas ministrit, projektbuxheti 2024 tejkalon për herë të parë 7 miliardë euro shpenzime publike të planifikuara dhe në të njëjtën kohë projekton uljen e borxhit publik, pa u shoqëruar nga masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin tek miradministrimi fiskal.

Ndër të tjera ai tha se synimi i këtij projektbuxheti është t’i përgjigjet fazës së re të zhvillimit të ekonomisë dhe të mbështesë më tej rritjen ekonomike.

“Siç vlerësoi edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, ekonomia shqiptare shfaqet si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, ndërkohë që perspektiva ekonomike në vazhdim mbetet pozitive. Konjuktura aktuale e favorshme krijon mundësi për të shtyrë përpara një seri reformash, për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, u shpreh Mete.

Buxheti i vitit 2024 shoqërohet me një Paketë Fiskale, e cila synon qëndrueshmëri të legjislacionit dhe politikës fiskale, duke mos ndërmarrë masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin tek miradministrimi fiskal.

Në këtë aspekt, tha ai, do të punohet së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar me të cilët kemi dakordësuar të rishikojmë Strategjinë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave, me synim të një strategjie sa më koherente, që merr në konsideratë zhvillimet dhe treguesit e fundit makrofiskalë.

“Sa i përket paketës fiskale, ju informoj se nuk është propozuar vendosja e TVSH-së në sektorin e arsimit, shëndetësisë apo shërbimet financiare, që ka qenë një ndër diskutimet vijuese me FMN. Një ndër masat kufizuese, e cila është gjykuar e nevojshme nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka qënë vendosja e kufirit të sipërm të nivelit të indeksimit të akcizës. Ligji i miratuar në dhjetor 2021, kërkon indeksimin çdo dy vjet të akcizës së mallrave, bazuar në normën kumulative të inflacionit të dy viteve paraardhëse. Kemi propozuar që në ligj të vendoset kufi maksimal prej 1.5 % për çdo dy vjet për rritjen e akcizës, kjo nisur edhe nga niveli i pazakontë i inflacionit të dy viteve të kaluara. Nëse nuk do të vendosej ky kufizim, akciza do të duhej të indeksohej me 11.4%, çka do të impaktonte në rritjen e çmimeve. Gjithashtu, propozohet një nismë që lidhet me qasjen dekarbonizuese, në linjë me politikat e gjelbra në Bashkimit Evropian”, tha Mete.

Bashkimi Evropian parashikon taksimin e importeve drejt vendeve të BE nga shtete që nuk aplikojnë ose aplikojnë një taksë të ulët karboni në tregun e tyre të brendshëm, krahasuar me nivelet e taksimit në vendet e Bashkimit Evropian. Kufiri miminal i taksës së karbonit mbi qymyrin duhet të jetë të paktën 15.3 lekë/kg, nga 3 lekë që parashikohet në vendin tonë. Në këto kushte, është e nevojshme që të merren masa për përafrimin e legjislacionit, në mënyrë që të shkojmë drejt nivelit të BE-së, por ngarkesa fiskale të mos jetë e menjëhershme. Për këto arsye, u shpreh ministri, është programuar një rritje e zbutur e taksës, e cila do shtrihet në 5 vjet, duke filluar me një rritje prej vetëm 0.5 lek në vitin e parë.

Paketa ka parashikuar gjithashtu disa masa në funksion të stimulimit të sektorit bujqësor dhe blegtoral.

“Janë parashikuar disa përjashtime nga TVSH në importin e gjedhëve, bletëve dhe insekteve që përdoren në bujqësinë bio, me synim nxitjen e rritjes së numrit të krerëve, zgjerimi i sektorit të bletarisë dhe përdorimi i metodave të mbrojtjes së prodhimeve, duke shmangur përdorimin e pesticideve”, u shpreh Mete.

Në procedurat tatimore, informoi ai, janë vendosur një sërë rregullash për shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore homologe, në mënyrë që të sigurohet informacion periodik nga kompanitë mëmë të grupeve ndërkombëtare që kanë degë apo filiale që operojnë në Shqipëri.

Gjithashtu, sqarohen procedurat që kanë të bëjnë me marrëveshjet e eliminimit të taksimit të dyfishtë, në mënyrë që të ketë me tepër miradministrim në këtë fushë.

Në krahun e shpenzimeve, në projektbuxhetin e vitit 2024, ministri bëri të ditur se janë parashikuar të shpenzohen 735.9 miliardë lekë, ose 30.2% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje në vlerë absolute prej 30.4 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2023.

“Ky projektbuxhet financon një vëllim të konsiderueshëm investimesh publike me 5.3% të PBB, ose 128.5 miliardë lekë, në linjë edhe me strategjitë sektoriale të zhvillimit. Në këtë fond, përfshihet dhe fondi i rindërtimit nga tërmeti në shumën 7 miliardë lekë. Në planifikimin e investimeve për vitin 2024, fokusi mbetet financimi i projekteve të investimeve publike në fushën e transportit rrugor, detar, hekurudhor, zhvillimi urban dhe rajonal, ujësjellës kanalizime, trashëgimia kulturore dhe turizmit”, u shpreh ministri.

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qëndrore për vitin 2024 parashikohen në masën 63.2 miliardë lekë, ose rreth 2.6% të Produktit të Brendshëm Bruto.

”Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave të qeverisë si: skema e mbështetjes së fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, mirëmbajtja e sistemeve të teknologjisë së informacionit, zhvillimi i turizmit dhe mbështetja për arsimin e sportin”, tha ai.

Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.85 miliardë lekë, me një rritje të lehtë nga buxheti i rishikuar i vitit 2023. “Kjo rritje i dedikohet zbatimit të skemës së garancisë rinore, e cila në bashkëfinancim me Bashkimin Europian, synon të sigurojë një ofertë cilësore punësimi për të rinjtë e moshës 16-29 vjeç, të regjistruar si punëkërkues të papunë”, bëri të ditur ministri.

RTSH Shkodra

Recent Posts

Parashikimi i motit, e premte, 20 shtator 2024

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e premte vendi ynë do të vijojë…

1 min ago

Orkestra Simfonike koncert më 20 shtator, dirigjenti italian Quadrini: Do sjellim një copë magjie

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të zhvillojë më 20 shtator në orën 19:00…

17 hours ago

Von der Leyen pret liderët e Ballkanit: I përkisni Evropës, të afrojmë tregjet e rajoni me atë të BE-së

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka pritur sot në Bruksel të 6…

17 hours ago

Lamtumirë Gerti Bogdani! Kolegët e ish-deputetit në lot: Ishte shembull frymëzues për të rinjtë

Është përcjellë për në banesën e fundit ish-deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani, i cili…

18 hours ago

Procedohet penalisht 37- vjeçari, mbante një shpend të rrallë të mbrojtur me ligj

Komisariati i Policisë Shkodër, menjëherë pas marrjes së njoftimit nga Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen…

18 hours ago

Vllaznia, test me Tërbunin para Bylisit – Kuqeblutë mundën pukjanët 1-0, bindin lojtarët e stolit

Vllaznia ka zgjedhur Tërbunin e Pukës për një test përgatitor në prag të ndeshjes së…

18 hours ago

This website uses cookies.