Pas Tiranës, Erdoan në Beograd! Vuçiq: Forcojmë marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin
Pas vizitës zyrtare në Tiranë, presidenti turk Rexhep Taip Erdoan udhëtoi drejt Beogradit ku u takua me homologun serb, Aleksandër Vuçiq.
Ky i fundit pasi ka pritur në aeroportin “Nikola Tesla” presidentin Erdoan, u shpreh se vizita e tij në Serbi, është mundësi për forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Mirë se erdhe në Serbi, mik i dashur Erdogan. Vizita juaj e kthimit është një mundësi tjetër për të forcuar më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin tonë miqësor. Besoj se gjatë qëndrimit tuaj në Beograd, ne do të punojmë së bashku për të përmirësuar lidhjet ekonomike, kulturore dhe politike mes vendeve tona”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.
Vizita e Erdoan në Serbi do të vijojë edhe ditën e sotme, ku sipas programit të vizitës, në orën 11:00 do të mbahet ceremonia e mirëseardhjes para Pallatit të Serbisë, e më pas takimi i dy presidentëve në orën 11:20.
Në orën 12:05 do të mbahet seanca e katërt e Këshillit të Lartë për Bashkëpunim ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Republikës së Turqisë, të udhëhequr nga presidentët Vuçiq dhe Erdoan.