Pasojat e përmbytjeve në Mirditë, bashkia po përllogarit dëmet, gati projekti për lumin Zmeja
Reshjet e dendura të shiut të një jave më parë lanë pas pasoja të konsiderueshme në Mirditë. Dalja nga shtrati i Lumit Zmeja, përmbyti banesa e tokë bujqësore, shkatërroi disa akse rrugore dhe urën në fshatin Tarazh në periferi të qytetit të Rrëshenit. Kryebashkiaku i Mirditës Albert Mëlyshi thotë se ka nisur ndërhyrja në pikat më problematike.
“Në Ura, në tokë bujqësore, në stalla blegtorish, në qendra shëndetësore po nxjerrim në shifrat që kanë shkaktuar, në bashkinë e Mirditës është një bashki me burime financiare të vogla dhe nga të ardhurat e veta është e pamundur që bashkia të mund të rikuperoj demet që janë shkaktuar nga përmbytja, por disa dëme të vogla që janë emergjente për qytetarët”, tha Albert Mëlyshi, kryetar i bashkisë Mirditë.
Bashkia Mirditë ka gati projektin e rehabilitimit të Lumit Zmeja. Ndërhyja parashikon shmangien e përmbytjeve e njëkohësisht kthimin në mjedis atraktiv për qytetarët.
Reshjet e dendura të shiut të fillimit të këtij muaji në Mirditë, nxorën dhe njëherë në pah rrezikun që paraqet Lumi Zmeja dhe nevojën për ndërhyrje sa më të shpejtë.