Pasuria bibliotekore e Shkodrës / Veç bibliotekave publike, Shkodra ka edhe ato me karakter fetar
Biblioteka “Marin Barleti” është më e madhja ,por jo e vetmja në Shkodër, kjo pasi qyteti ka fatin të ketë disa të tilla. Dy prej tyre janë Biblioteka “Zoja e Shkodrës” dhe ajo e Myftinisë, kryesisht të karakterit religjoz.
E para u krijua si iniciativë e famullitarit Dom Vlash Palaj. Libri më i vjetër, si pjesë e fondit antikuar, i përket vitit 1566. Biblioteka është e hapur për lexuesit, studentët dhe studiuesit.
Biblioteka e Myftinisë së Shkodrës ka si synim zgjerimin e hapësirave të saj përmes një projekti që i përket të ardhmes. Njerëz të fesë dhe besimit kanë kontribuar në pasurimin e saj.
Të dyja këto biblioteka, veç librave religjozë, përmbajnë një fond të pasur edhe në fusha të tjera.
Shkodra mban në vetvete historinë e librit dhe të bibliotekave. Tradita e librit lidhet me këtë qytet si një qendër e rëndësishme administrative, fetare dhe ekonomike.