PD, Basha tur takimesh në Qarkun e Lezhës: Politikë në shërbim të qytetarëve
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, po zhvillon një tur takimesh në Qarkun e Lezhës, ku po takon qytetarë, sipërmarrës etj. Në një takim me një grup grash lezhjane, Basha, sipas një postimi në Facebook, është shprehur se fjalët nuk i mjaftojnë për të shprehur mirënjohjen e madhe ndaj nënave e grave shqiptare.
“Unë e di që ditët janë shumë të vështira për çdo grua. Ato sakrifikojnë më shumë se kushdo për të siguruar mirëqenien e familjes, për t’u kujdesur për fëmijët dhe punët e përditshme të shtëpisë. Sa më e sigurt, e pavarur dhe e sukseshme të jetë një grua aq me e fortë do të jetë familja dhe më e shëndetshme do të jetë shoqëria. Prandaj kujdesi dhe mbështetja për gratë duhet të jetë prioritet për çdo qeveri.”, ka deklaruar Basha.
Shëngjin, Basha: Politikë në shërbim të qytetarëve
Kreu i PD-së ka zhvilluar një tur takimesh edhe në Shëngjinin, ku ka biseduar me qytetarë dhe sipërmarrës për zgjidhjet që nevojiten për ta zhvilluar edhe më tej këtë zonë, duke vlerësuar punën e ndershme të njerëzve që me mundin e tyre e kanë kthyer Shëngjinin në një nga destinacionet e preferuara për turistët vendas dhe të huaj.
“Ne besojmë se një politikë në shërbim të qytetarëve ka për detyrë të ulë taksat dhe tarifat, të subvencioniojë sektorët e peshkimit dhe bujqësisë, të ulë çmimin e karburanteve, për t’i dhënë një tjetër hov zhvillimit të kësaj zone të bekuar.”, ka theksuar Basha në fjalën e tij.