PD, Basha: Vetingu largon të korruptuarit nga politika
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një turi takimesh në Njësinë 1 në Tiranë, deklaroi se “vetingu largon të korruptuarit nga politika, duke i hapur rrugë atyre që përfaqësojnë interesat e qytetarëve”.
Sipas Bashës, “situata e vështirë në të cilën ndodhen sipërmarrësit është pasojë e mungesës së vëmendjes nga qeveria, e taksave të larta, e korrupsion të përhapur në çdo nivel, që e ka bërë vendin të pajetueshëm dhe pa perspektivë për të rinjtë që largohen duke krijuar vakuum në tregun e punës.”
Basha foli edhe për programin e Partisë Demokratike, në të cilin sipërmarrësit e ndershëm, të vegjël e të mëdhenj, sipas tij, do të gjejnë mbështetje dhe lehtësira financiare, liri dhe konkurrencë, që të zhvillojnë potencialin dhe të rrisin mirëqenien e qytetarëve.
Gjatë bisedës Basha iu përgjigj interesit për nismën e tij për vetingun në politikë.
“Siç është bërë vetingu i gjyqtarëve dhe i prokurorëve, siç bëhet vetingu i punonjësve të policisë dhe i punonjësve të gardës, të bëhet dhe vetingu i politikanëve. Kush e justifikon pasurinë e vet dhe të familjes së vet, të vazhdojë. Kush nuk e justifikon, nuk mund të vazhdojë më të jetë përfaqësues i interesave të qytetarëve”, tha kryetari i PD, Basha.
Sipas tij, rritja e çmimeve, rritja e taksave, rënia e fuqisë blerëse, papunësia e lartë dhe emigrimi masiv, bëjnë që e ardhmja të duket e zymtë.
“Ndaj është jetike që ekonomia jonë të hapet dhe të bëhet konkurruese. Në funksion të saj është edhe garantimi i garës në sistemin politik, përmes propozimeve tona për Reformën Zgjedhore. Një parlament përfaqësues i vullnetit të qytetarëve është i domosdoshëm për të vendosur interesat e njerëzve në qendër të politikë-bërjes, duke dhënë atyre forcën për të ndërtuar të ardhmen që duan dhe meritojnë.”, tha Basha.
Ndërsa me Astrit Jegenin, i persekutuar politik, Basha ka folur për problemet e kësaj shtrese dhe atë që duhet të bëjmë sëbashku për të ndryshuar.
“Sakrificat e të përndjekurve nën regjimin më çnjerëzor të Europës, kalvari i vuajtjeve përmes të cilit kanë kaluar ata dhe familjarët e tyre, meritojnë mirënjohjen dhe nderimin më të lartë nga të gjithë ne.
Partia Demokratike ka përgjegjësinë për të bërë çdo gjë që është në dorën tonë, për të shlyer borxhin moral dhe material që shteti dhe shoqëria ka ndaj të përndjekurve politikë, pasardhësve dhe familjarëve të tyre, në nderimin të sakrificës që atë kanë bërë në emër të Shqipërisë evropiane”, theksoi Basha.