PD denoncon PS: Hap zyrë elektorale në Selanik dhe e maskon si të KQZ-së

Ivi Kaso ka akuzuar qeverinë

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se ka vënë në dispozicion makinerinë shtetërore për të siguruar votën e diasporës.

Sekretari për çështjet ligjore në PD, Ivi Kaso ka akuzuar qeverinë për përpjekje për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme, duke hapur zyra të Partisë Socialiste në Selanik dhe duke keqpërdorur të dhënat personale të shqiptarëve atje si një përpjekje për të manipuluar votat.

“Niko Peleshi, prej 21 vjetësh në pushtet, sa në Korçë e sa në Tiranë, për të mbetur në pushtet sa më gjatë është gati të bëjë gjithçka brenda e jashtë ligjit. Ai, bashkë me lukuninë e ministrave dhe drejtorëve të pushtetit, janë sulur në Greqi e gjetkë, për të patronazhuar vullnetin e shqiptarëve duke keqpërdorur të dhënat e tyre. Si pjesë e këtij plani për manipulim të votës së 11 majit, ai ka hapur një zyrë të PS ngjitur me konsullatën e Shqipërisë në Selanik dhe e paraqet si zyrë shtetërore të KQZ. Siç është në traditën e komunistëve, përziejnë shtetin me partinë”, tha Kaso.

Kaso tha se këto zyra maskohen si të jenë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa kërkoi nga SPAK hetime për të parandaluar abuzimet që po bëhen me të dhënat e diasporës. Po ashtu, ai bën thirrje për vigjilencë dhe monitorim të këtyre zyrave dhe fton qytetarët shqiptarë në diasporë të denoncojnë çdo shkelje të mundshme.

“U bëjmë thirrje shqiptarëve në Greqi që të mos gënjehen nga afërsia e zyrës me konsullatën shqiptare, edhe kjo një shkelje më vete, dhe të kuptojnë se të dhënat që japin aty i shkojnë PS dhe rrjetit të patronazhimit. Komisionerit shtetëror të zgjedhjeve i bëjmë thirrje të sqarojë qytetarët se KQZ ka zyra vetëm në Tiranë dhe operon përmes sajtit zyrtar online. Çdo zyrë që paraqitet si e KQZ është një përpjekje e Rilindjes për të manipuluar dhe gënjyer emigrantët shqiptarë. Zyrat elektorale për patronazhimin e të dhënave, duhet të jenë në vëmendje edhe të SPAK-ut, i cili duhet të hetojë jo vetëm burimin e financimit të tyre por dhe të hetojë e parandalojë që nga zyra patronazhimi të mos kthehen në zyra shitblerje vote”, shtoi Kaso.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.