PD dorëzon në Kuvend projektvendimin për heqjen e plotë të imunitetit të deputetëve
Sekretari për Reformën Zgjedhore dhe përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Rezart Kthupi, në një deklaratë për mediet, u shpreh sot PD ka depozituar një projektpropozim në Kuvendin e Shqipërisë me qëllim krijimin e mekanizmit ligjor për heqjen e plotë të imunitetit të deputetëve.
Sipas Kthupit, Partia Demokratike ka mbajtur një qëndrim konstant dhe koherent mbi imunitetin e deputetit, duke e konsideruar këtë të fundit një rudiment dhe një simbol të pabarazisë ndërmjet zgjedhësve dhe të zgjedhurve.
“Projektvendimi për ndryshimin e rregullores së kuvendit krijon bazën ligjore që deputetët brenda 5 ditësh nga miratimi i propozimit dhe brenda 5 ditësh nga fillimi i legjislaturës të depozitojnë pranë kryetarit të kuvendit një deklaratë me shkrim me të cilën heqin dorë nga procedurat parlamentare për heqjen e imunitetit duke i hapur plotësisht rrugën drejtësisë në marrjen e masave ndaluese të arrestit në rastet e hetimeve penale në ngarkim të tyre”, u shpreh ai.
Partia Demokratike, tha ai, vlerëson se reforma në drejtësi, të cilën ajo e ka mbështetur në çdo hap, ka prodhuar më në fund një drejtësi të pavarur nga politika, e cila ka krijuar besimin dhe ka mbështetjen e gjerë qytetare në punën e saj për hetimin dhe goditjen e korrupsionit e lartë të politikës dhe administratës shtetërore.
Duke ftuar të gjithë deputetët e kuvendit të Shqipërisë që të votojnë projektvendimin, Kthupi u shpreh se, “në kushtet e një drejtësie të pavarur partia demokratike vlerëson se çdo qëndrim kundër heqjes së plotë të imunitetit për deputetët është një tentative për të mos lejuar hetimin e korrupsionit të politikanëve apo të njerëzve të lidhur me ta”.