PD ftesë “Rithemelimit”: Të dalim me një draft për Reformën Zgjedhore
Ndërrimi i bashkëkryetarit dhe anëtarëve në komisionin e Reformës Zgjedhore ka përçarë edhe më shumë opozitën, pasi palët brenda vetes kërkojnë përfaqësim të ndryshëm në këtë komision. Nënkryetari i PD, Kreshnik Çollaku i ka bërë ftesë deputetëve të “Rithemelimit” për të bashkëpunuar dhe të dalin me një draft për Kodin Zgjedhor.
“Jemi totalisht të hapur që me kolegët e opozitës të shkojmë drejt, nuk është thelbi kush ulet në karrige, por ca do dalë nga kjo refromë.ne vetëm ato opsione do mbështesim, listat e hapura, vota e diasporës dhe votim elektronik dhe 1 zonë zgjedhore. Nëse kanë propozime të tjera janë të mirëpritur që të bëjmë në draft. Mazhoranca s’ka asnjë interes të ndryshojë reformën. Nëse kanë propozime të tjera janë të mirëpritur dhe dalim me një draft”, tha Çollaku.
Lidhur me vendosjen se kush do të jetë bashkëkryetar i opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Çollaku tha se askush nuk mund të cenojë të drejtat kushtetuese të PD, si subjekti më i madh opozitar dhe se përfaqësimi në atë komision është gjithëpërfshirës
“Pretendimi për komisionin e Reformës zgjedhore, është i pandershëm nga kolegët e opozitës. Është e paligjshme dhe cenim i të drejtës kushtetuese të subjektit më të madh që është PD. Nuk ka mundësi të ketë formulime të tjera në rast se nuk ekziston një kompromis për të asgjësuar PD në komision. Janë vende dhe përfaqësimi është gjithëpërfshirës, edhe nga Rithemelimi dhe partitë aleate”, tha Çollaku.
Deputetët e Rithemelimit kërkojnë që në vend të Enkelejd Alibeajt të vendoset Oerd Bylykbashi. Gjithashtu në mbledhjen e djeshme të grupit, Bardhi tha se deputetët e Lulzim Bashës mund të kenë vendin e një anëtari në komision.
Komisioni i Reformës Zgjedhore do të mblidhet ditën e premte më 26 janar, ku “Rithemelimi” ka deklaruar se do të vijojë aksionin opozitar.