PD ka prezantuar kandidatët në Shkodër, Berisha: Kemi përballë narko-shtetin, ndaj është fushata më e rëndësishme e 34 viteve të fundit

Partia Demokratike ka prezantuar kandidatët për zgjedhjet e 11 majit 2025 në qytetin e Shkodrës, ku i pranishëm ka qenë edhe kryetari i kësaj force politike, Sali Berisha.Drejtuesi politik i PD-së, në Qarkun e Shkodrës, Luçiano Boçi, në fjalën e tij gjatë prezantimit të kandidatëve që garojnë në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, nënvizoi se misioni që kanë mbi supe kandidatët, është sa i vështirë aq edhe shpresëdhënës “për zjarrin e fitores së PD më 11 maj”.
“Është koha që Shkodra dhe qytetarët e saj të rishkruajnë historinë e t’i dalin për zot vendit të tyre. Jemi në udhëkryqin e historisë, jemi këtu për të shkruar historinë e për t’i dalë zot fateve të vendit. Zgjedhjet e 11 majit përcaktojnë të ardhmen e qytetarëve, familjeve të Shkodrës e Shqipërisë.”, deklaroi Boçi.
Ndërsa kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij, ka theksuar se “Shqipëria Madhështore” nuk mund të jetë pa prodhimet shqiptare ‘Made in Albani”.
Në fjalën e tij, Berisha tha se krenaria jonë kombëtare do jetë prodhimet e Shkodrës, Pukës, Malësisë së Madhe, Vaut të Dejës, Bushatit, por dhe prodhimi i mbarë Shqipërisë.
“Unë garantoj biznesmenët shkodranë dhe mbarë shqiptarë, investitorët shkodranë se taksat më të ulëta në Evropë do vendosen vitin e parë të qeverisjes sonë. Se energjinë do ta blini tre herë më lire, do ta blini me çmimin më të ulët në Evropë. Jemi në vitin e diasporës, e meriton diaspora. Nuk e kemi një fjalë elektorale këtë. E kemi një fjalë të vërtetë, e kemi një fjalë zemre. Unë u garantoj se do bëjmë gjithçka që ata mijëra shkodranë që kanë ndërtuar suksesin e tyre në Itali, Greqi, Amerikë dhe kudo, të rikthehen të ndërtojnë ëndrrën shkodrane, ëndrrën më të bukur të jetës së tyre.”, tha Berisha.
Ai premtoi pesë vite, asnjë taksë për diasporën dhe lehtësira të tjera për rikthimin e tyre.
“Made in Albania” është krenaria jonë. Shqipëria, Shkodra në çdo skaj prodhon dhe do prodhojë. Imagjinoni për një moment fuqinë bujqësore të Nënshkodrës, Bushatit, Vaut të Dejës, Malësisë së Madhe, Pukës, etj. I garantoj fermerët se do kenë subvencione për çdo njësi prodhimi, për çdo fidan, për çdo kokë bagëti. I garantoj se projektet e mëparshme të arrorëve dhe ullinjve, do vazhdojnë të mbështeten me fuqinë më të madhe”, tha Berisha.
Sipas tij, PD do të bëjë gjithçka që t’ua kompensojë prodhuesve, eksportuesve dëmin që u krijon kursi i këmbimit. Berisha tha se Shkodra ka qenë dhe mbetet në histori qyteti i pikënisjes së epokave për kombin shqiptar.
“Këtu në Shkodër nisi epoka e demokracisë dhe shembja e diktaturës komuniste ndaj dhe unë zgjodha Shkodrën për të nisur betejën për shembjen e diktaturës së dytë dhe ndërtimin kësaj here të Shkodrës madhështore, të Shqipërisë madhështore”., tha ai.
Kreu i PD-së theksoi se vendi është jemi në prag të një fushate elektorale që do shënohet në histori si ndoshta fushata më e rëndësishme zgjedhore e 34 viteve të fundit.
“Sepse në këtë fushatë ne nuk kemi përballë një parti politike, por ne kemi kundër një organizatë të tmerrshme kriminale që ka pushtuar Shqipërinë në 12 vite dhe që quhet rilindje. Ne kemi përballë narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, tashmë të faktuar me dokumente themelore ndërkombëtare. Prandaj kjo fushatë është në fakt një fushatë çlirimtare për Shqipërinë dhe për Shkodrën”, tha Berisha.