PD mbështet SPAK, Basha: Kush ka abuzuar me fondet dhe pasuritë e shqiptarëve të shkojë para drejtësisë
Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka zhvilluar një bashkëbisedim me gratë në Belsh, ku është ndalur te lufta kundër korrupsionit, duke e konsideruar si një prioritet të partisë që ai drejton.
Sipas Bashës, korrupsioni është ndër shkaktarët kryesorë të situatës ekonomike dhe largimit masiv të të rinjeve.
“Kush ka abuzuar me fondet dhe me pasuritë e shqiptarëve, me besimin e shqiptarëve, të shkojë para drejtësisë. Dhe për këtë, Partia Demokratike i jep mbështetje të pakushtëzuar SPAK-ut, pa asnjë kusht, mbështetje të plotë drejtësisë dhe të vendosë para ligjit këdo që ka abuzuar me besimin, me paratë dhe me pasuritë e shqiptarëve”, u shpreh kryetari i PD.
Basha theksoi se krahas inkurajimit dhe mbështetjes së SPAK, PD ka çuar në parlament dhe projektligjin për vetingun e politikanëve, përmes të cilit synon të largojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin nga politika.
“Siç është bërë vettingu i gjyqtarëve dhe i prokurorëve, siç bëhet vettingu i punonjësve të policisë dhe i punonjësve të gardës, të bëhet dhe vettingu i politikanëve. Kush e justifikon pasurinë e vet dhe të familjes së vet, të vazhdojë. Kush nuk e justifikon, nuk mund të vazhdojë më të jetë përfaqësues i interesave të qytetarëve”, tha ai.