PD: Rama u dha statusin e investitorit strategjik, eksponentëve të PS-së me biznese të falimentuara
Partia Demokratike, akuzoi të dielën kryeministrin Edi Rama, se nëpërmjet statusit të investitorit strategjik, po favorizon drejtues të lartë të Partisë Socialiste.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e PD-së për anti-korrupsionin, Genta Vangjeli, i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë procedurat e shpalljes si investitor strategjik nga Qeveria të ish-nënkryetarit të Bashkisë së Vorës, Hekuran Brahimaj dhe Turjan Hyskos, vëlla i ish-deputetit socialist dhe kryetar i FRESSH, Elio Hyskos.
“Edhe pse me një ritëm jo shumë të suksesshëm në biznes, duke pasur parasysh se nga 7 biznese të regjistruara gjatë dhe pas vitit 2021, 5 prej të cilëve janë në likuidim e sipër, ky fakt nuk e pengoi Edi Ramën, i cili ka plane të tjera të ndryshme nga zbatimi i ligjit që të miratonte statusin e veçantë të investitorit strategjik, për eksponentin e Partisë Socialiste.”, deklaroi Vangjeli.
Sipas PD-së, investimi parashikohet me vlerë 50 milion euro dhe se projekti prek një sipërfaqe prej 41,915 m2 në pronësi ‘private’ të subjekteve aplikuese, gjithashtu një sipërfaqe prej 76,950 m2 në pronësi ‘shtet’, ndërkohë, subjektet për një sipërfaqe prej 39,009 m2 janë ende në fazë negociatash me subjekte private.
“Theksojmë se veprimet procedurale të Ministrisë së Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Bashkisë Himarë që i duhej me patjetër Edi Ramës pikërisht për këto arsye, si dhe Sekretariatit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU) do të jenë në vëmendjen tonë. Partia Demokratike kërkon nga SPAK të hetojë procedurën e ndjekur për këtë investim strategjik i cili do të përfshijë tokë shtetërorë dhe private duke zbardhur dhe burimin e të ardhura të ligjshme për implementimin e këtij projekti”, thuhet në deklaratën e Vangjelit.