Peleshi: Duhet të rikthejmë industrinë ushtarake, Shqipëria ka përmbushur detyrimet e NATO-s për demilitarizim
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit deklaroi se nevojitet rikthim i industrisë ushtarake në vend.
Në kundërpërgjigje të akuzave të opozitës në lidhje me pr.ligjin “ Për financimin e detyrimit të prapambetur të pagesës së punonjësve dhe ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik Poliçan”, Peleshi u shpreh se opozita është kontradiktore në deklaratat e saj, pasi ndonëse nuk pranon shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për ish-punonjësit e Poliçanit, kërkon shlyerjen e kamatvonesave ndaj tyre.
“Thoni pse po paguajmë nga taksat 1 mln euro, për të paguar pagat e prapambetura dhe detyrimet shoqërore. Më pas thoni, të paguhen dhe kamatëvonesat. për të përfituar ndonjë kredit elektoral bëheni më katolik se Papa.
Buxheti i shtetit, qeveria, nuk paguan, përveçse me ligj të posaçëm detyrimet e ndërmarrjeve shtetërore apo SHA-ve.
Pse ky është rast i posaçëm? Ne i dekurajojmë ndërmarrjet shtetërore nga aplikimi për të paguar detyrimet e tyre nga buxheti i shtetit. Ndërmarrjet shtetërore nuk e kanë statusin juridik që kur krijojnë detyrime ti drejtohen arkës së shtetit por funksionojnë me mendim biznesi”, u shpreh Peleshi.
Ministri vuri më tej theksin te forcimi i industrisë ushtarake, duke u shprehur se po modernizohet Shqipëria me teknologji perëndimore. Peleshi theksoi se Shqipëria i ka përmbushur detyrimet e NATO-s për demilitarizim.
“Ne nuk e kemi fshehur, nuk është axhendë e mandatit të qeverisë, por të rikthejmë industrinë ushtarake. Shqipëria i ka përmbushur detyrimet e NATO-s për demilitarizim dhe për të pastruar një pjesë të mirë të arsenalit të trashëguar nga e kaluara.
Jermi duke u modernizuar me teknologji perëndimore dhe sot për fat të keq kërkesa për armatime në tregun botëror është rritur shumë dhe Shqipëria nuk ka pse të mungojë në këtë treg. Të bëhemi partnerë aksionerë me industritë e reja që do lindin së shpejti në Shqipëri”, përfundoi Peleshi.