Peleshi: Misionet ushtarake shqiptare jashtë vendit na bëjnë krenarë
Krerët e ministrisë së mbrojtjes përshëndetën dhe uruan për festat e fundvitit efektivët shqiptarë që kontribuojnë në misionet jashtë vendit.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi shprehu vlerësimet për këtë pjesë të Forcave të Armatosura. “Na bëni krenarë, sepse i jepni një dimension tjetër angazhimit tonë, jo vetëm në mbrojtje e sigurinë kombëtare, por edhe në eksportin e paqes e sigurisë në mbrojtjen kolektive” tha zoti Peleshi. “Kjo na bën jo vetëm përfitues nga anëtarësia në këtë aleancë të madhe, por edhe kontributorë, ndonëse Shqipëria është një vend i vogël, me kapacitete modeste, por gjithnjë në rritje dhe të modernizuara” shtoi ai.
Ministri shqiptar i mbrojtjes deklaroi synimin se “ne duam ta tregojmë veten dhe të japim kontributin tonë si në operacionet e NATO-s, Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Forcat shumëkombëshe ushtarake, por edhe humanitare dhe mbrojtjes civile, siç kemi qenë vitin e fundit në mbështetje të vendeve të rajonit”.
Shqipëria përfaqësohet në 8 misione jashtë vendit: nga Iraku, Sudani i Jugut, Egjipti, Letonia, Bullgaria, Bosnja dhe Kosova, ku është edhe prezenca më e madhe në dy lokacione.
Zoti Peleshi inkurajoi veçanërisht efektivët që shërbejnë në misionin e KFOR-it në Kosovë, që të kontribuojnë me zell, por edhe me vetëpërmbajtje, në mënyrë që të mos bien pre e provokimeve dhe situatave që mund të krijohen. “Urojmë që konfliktet e ndezura të shkojnë drejt shuarjes. Duket se do të jetë një konflikt i gjatë në Ukrainë. Shpresojmë që të ketë një adresim sa më të shpejtë në krahun e së mirës, me fitoren e Ukrainës. Urojmë që ky të jetë një vit i mbarë dhe i qetë për Kosovën dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes.
Duke folur për planet dhe objektivat e mbrojtjes për vitin që vjen zoti Peleshi njoftoi se. Pas pak javësh do të fillojë operacionet baza taktike ajrore e Kuçovës që është një bazë e NATO-s. “Po punojmë që të fusim në planet e mbështetjes së NATO-s, me modelin e Kuçovës edhe ndërtimin e një porti pranë portit të ri në Porto Romano, një porti ushtarak që do ta bënte vendin me dy infrastruktura të rëndësishme të NATO-s, për stërvitje, mbështetje taktike apo dislokime në rast nevoje, operacionesh drejt krahut lindor të NATO-s. Shqipëria është e vendosur të luajë rolin e saj në rajon, në krahun e Perëndimit. Ne kemi vetëm një agjendë dhe ajo është integrimi euroatlantik”, theksoi ministri Niko Peleshi.