Peleshi: PS do frymë dialogu. Në BE nuk integrohet qeveria, por shteti dhe shoqëria
Niko Peleshi, Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste në sesionin e parë të Kuvendit të Shqipërisë u shpreh se në BE nuk do të integrohet qeveria shqiptare por shteti dhe shoqëria shqiptare dhe shteti nuk është i partive por i shqiptarëve ndaj dhe në këtë proces duhet të përfshihen përfaqësues e të gjithë popullit.
“Dua të rikonfirmoj frymën e dialogut dhe bashkëpunimit në sallën e Kuvendit dhe në të gjitha komisionet ky vullnet i PS nuk vjen si një aritmetike numrash për të shtuar numrat e mazhorancës por vjen si një përpjekje e sinqertë për ti dhënë qytetarëve të këtij vendi ligje më të mira, debate të vërteta mbi problemet që i prekin dhe mbi të gjitha vjen si domosdoshmëri për të arritur me sukses objektivat madhore të procesit të integrimit evropianë të vendit tonë. Ka disa sfida të cilat nuk janë partiake, që nuk i përkasin një mandati qeverisës ato kërkojnë angazhim afatgjatë sepse kanë lidhje me të ardhmen afatgjate të Shqipërisë. Të tilla janë nisma për të përmbushur detyrimet e integrimit evropian. Në BE nuk do të integrohet qeveria shqiptare por shteti dhe shoqëria shqiptare dhe shteti nuk është i partive por i shqiptarëve ndaj dhe në këtë proces duhet të përfshihen përfaqësues e të gjithë popullit”, u shpreh Peleshi.