Pensionet përmes bankave, ekspertja e ekonomisë: Zonat rurale do hasen me vështirësi
Tërheqja e pensioneve përmes kartave bankare, është projekti që po përflitet nga qeveria të vihet në zbatim duke filluar nga muaji prill i këtij viti. Por pikëpyetjeve nëse pensionistët janë gati për këtë fazë të re e vështirësitë me të cilat mund të përballen, u ka dhënë përgjigje ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj Kortoçi në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri”.
“Si çdo fillim procesi, do ketë vështirësitë e veta. Procesi ka nevojë për fazën e fazë, që është faza e pilotimit. Qeveria parashikon që dhënia e pensionit të kalojë përmes sistemit bankar. Dega e thesarit i transferon pensionet përmes bankave të nivelit të dytë, aty ku pensionistët do hapin llogaritë bazike. Automatikisht punonjësit e bankës bëjnë pajisjen e pensionistëve me kartën bankare.
Momentet e para nuk mund të pretendohet se do realizohet, e para për aftësinë dhe mundësinë që kanë pensionistët për të përdorur sistemet bankare dhe e dyta lidhet me mundësitë e sistemit bankar se sa hapësira ka apo shtrirje në të gjithë vendin ka, që pensionisti të bëjë tërheqjen përmes sistemit bankar. Ne e dimë që në zonat më të thella, zonat rurale, sistemi bankar është më i kufizuar për një arsye të thjeshtë se dhe kërkesa për këto shërbime është më e ulët.
Qytetet e mëdha do jenë hapi i parë për të zbatuar këtë politikë të re dhe qytetet e tjera në periudhat në vijim”, u shpreh ajo.
Në lidhje me vështirësitë me të cilat do të përballen pensionistët për të përdorur sistemin bankar, ekspertja e ekonomisë u shpreh se vendet rurale dhe qytetet e vogla janë ato të cilat do të përshtaten më vonë me këtë proces të ri.
“Nuk gjykoj se do sjellë kolaps. Pensionistët që kanë më pak të njohur me pjesën e përdorimit të sistemit bankar, do kenë vështirësitë e para.
Sikurse është risku zero që mund të vidhet paraja nga sistemi bankar, këta individë duhet të jenë të kujdesshëm që të dhënat e bankës të mos ua japin të tjerëve.
Janë dy probleme: familjariteti i pensionistëve për përdorimin e sistemit bankar; dhe shtrirja e sistemit bankar në të gjithë vendin dhe lehtësitë që do u ofrojë pensionistëve”, deklaroi ekspertja.