Pensionet/ Rritja në shifra, zhvillohet mbledhja e parë e Këshillit Administrativ të ISSH, ja vendimi
Është zhvilluar mbledhja e parë e Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, nën kryesimin e ministrit të ri të Ekonomisë dhe të Financave, Ervin Mete.
Vendimi i parë i këtij këshilli, pas marrjes së kryesimit, është miratimi i indeksimit të pensioneve.
Sipas vendimit, nga data 1 Tetor, mbi 767 mijë pensionistë të të gjitha kategorive do të përfitojnë rritjen në masën 8.6%.
Sipas ministrit Mete, kjo masë siguron mbrojtje më të madhe shoqërore dhe është vazhdim i politikave që Qeveria shqiptare po zbaton për të reduktuar efektet e rritjes së inflacionit dhe për të siguruar më shumë mirëqenie për qytetarët.
Por sa do të rriten pensionet sipas kategorive të pensionistëve?
Pensionistët në qytet, nga muaji i ardhshëm, do të marrin mesatarisht 1 mijë e 500 lekë më shumë, ata në fshat, nga muaji i ardhshëm, do të marrin rreth 900 lekë më shumë.
Nga 17 mijë e 350 lekë aktualisht, do të bëhet 18 mijë e 842 lekë për një të moshuar që jeton në qytet.
Përfituesit e pensionit të invaliditetit në zonat urbane marrin 1 mijë e 400 lekë më tepër, ata që trajtohen me pension familjar do të përfitojnë rreth 700 lekë më tepër.
Pagesa mujore që merr një i moshuar në fshat, pas indeksimit me 8.6 për qind të do të bëhet 11 mijë e 239 lekë (ishte 10 mijë e 239 lekë).
Përfituesit e pensionit të invaliditetet, që jetojnë në fshat, nga 1 tetori do të marrin 712 lekë më shumë
Përfituesit e pensionit që trajtohen me pension familjar do të përfitojnë rreth 190 lekë më tepër.
Sikundër RTSH ka lajmëruar kohë më parë, do të ketë një këst të dytë për kategorinë e pensionistëve, që vjen nga taksa e jashtëzakonshme e energjisë.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2022 pensioni mesatar në qytet ishte sa 44.4% e pagës mesatare. Diferenca ndërmjet pensionit dhe pagës mesatare është edhe më thellë për fshatin. Në vitin 2022 pagesa mesatare mujore për fshatin ishte sa 35% e pagës mesatare në shkallë vendi.
Sipas përcaktimeve të INSTAT, që bazohen në metodologji ndërkombëtare, një pensionist konsiderohet i varfër, nëse pagesa mujore është më pak se gjysma e pagës mesatare në shkallë vendi.
Gjatë vitit 2022 është indeksuar pensioni me 9.5%, pavarësisht se gjithë inflacioni u konsiderua jo më shumë se 7%.