Përdhunimi i 23-vjeçares në Pejë, eksperti: Kodi Penal nuk zbatohet, parashikon dënim mbi 5 vite
Detaje të reja kanë dalë në dritë për përdhunimin e 23-vjeçares shqiptare me probleme të shëndetit mendor në Pejë, ngjarje kjo e regjistruar dy ditë më parë.
Eksperti i sigurisë në Kosovë, Hajrullah Tërnova, ka deklaruar se për raste të tilla Kodi Penal parashikon dënim mbi 5 vite, ndërsa shprehu rezerva mbi implementimin.
“Si shumë raste të tjera, është rast i dhimbshëm. Veprime të tilla konsiderohen kriminale. Është për tu habitur edhe shoqëria shqiptare, sepse duhet ngritur niveli i sigurisë, për hulumtim dhe dënim të këtyre rasteve.
Duhet të marrin vendime të ashpra, është diçka absolutisht e dhimbshme.
Kodi Penal dhe ligjet e tjera, janë në të mirë të popullit dhe nëse do shqiptoheshin vendimet do ndikonin në preventiv.
Kur vijnë dhe zbulohen rastet, ngrihen çështje e procedura që zgjasin shumë dhe gjenden mënyra të tjera lehtësuese. Vijnë në mënyrë të tillë që edhe nuk dënohen.
Nuk implementohet ajo vepër penale që është në ligj mjaft rigoroze. Ndërmarrin mënyra që dënimet të jenë sa më te lehta. Varet si kualifikohet, nëse është përdorur dhunë, nëse ka qenë dikush tjetër pjesëmarrës në vepër, dënimet janë mbi 5 vite”, tha Tërnova.