Përfaqësues të koalicionit “Pro familjes dhe jetës” para Ministrisë së Shëndetësisë, kundër pr.ligjit “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”
Përfaqësues të koalicionit “Pro familjes dhe jetës” janë ngritur këtë të hënë (13 maj) në një protestë para Ministrisë së Shëndetësisë kundër projektligjit “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”.
Me kukulla embrioni në duar, përfaqësues të këtij koalicioni deklarojnë se pr.ligji lejon abortin në momentin që fetusi është i formuar dhe gjinia i është përcaktuar, Sipas tyre, ky projektligj nuk duhet të miratohet.
“Kam sjellë në përmasa reale një kukull, që tregon bebi në barkun e nënës në moshën 12 javëshe. Aborti ndodh në këtë fazë tani në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë kërkon që ta kalojë këtu ku çdo organ është i formuar dhe gjinia e fëmijës dallohet. Madje, kërkon ta kalojë edhe në 22 javësh që lejohet aborti për shkaqe të sëmundjeve”, thanë ata.
Dorina Mema, një tjetër aktiviste theksoi se pr.ligji për sterilitetin e 18-vjeçarëve është tradhti kombëtare dhe nuk sjell asgjë tjetër përveçse shuarjen e kombit shqiptar.
“Mos të harrojmë edhe ligjin për sterilitetin e brezit të ri, që është tradhti kombëtare. Një njëri duhet të dojë nënën, babai dhe tokën që e ka rritur. Ligji për sterilitetin e 18-vjeçarëve sjell shuarjen e kombit tonë”, tha ajo.
Projektligj “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Shëndetësisë, ka nxitur debate mbi disa risi, përfshirë uljen e moshës së abortit pa nevojën e konsensusit nga prindërit nga 18 vjeç në 16 vjeç, përfshirja e surrogacisë dhe rritja e kohës për ndërprerjen e shtatzënisë, me dëshirën e gruas për arsye të ndryshme nga 12 javë në 14.