Përfaqësuesit e BE mbështesin sot fushatën “Shqipëria është Biodiversitet”
“Shqipëria është Biodiversitet” është një vepër arti që ka për synim ndërgjegjësimin mbi ekosistemet dhe speciet fantastike që banojnë në vendin tonë.
Imazhi i mozaikut i rikonceptuar, ka për qëllim të nisë një diskutim të hapur mbi kërcënimin e vazhdueshëm ndaj botës së egër në Shqipëri, si dhe fton publikun të jetë pjesë e kësaj bisede. Duke konsideruar artin si një mjet të shprehjes dhe interpretimit. “Shqipëria është Biodiversitet” vjen si punë që synon të nxisë kureshtje dhe reflektim mbi natyrën e mrekullueshme të vendit tonë.
“Shqipëria, e konsideruar shpesh si një qendër e biodiversitetit Evropian, tejkalon përmasat e saj modeste falë shumëllojshmërisë të jetës që mbart. Edhe pse vetëm 29 mijë kilometrakatror, vendi ynë është një dëshmi i një diversiteti të pakrahasueshëm, duke ofruar strehë për 3,200 lloje bimësh, 800 tipe kërpudhash, 300 specie peshqish, 350 kategori shpendësh, 70 kategori gjitarësh dhe një sërë speciesh të tjera që mbeten ende për t’u zbuluar. Ky biodiversitet kaq i pasur vjen si rezultat i pozicionimit gjeografik të veçantë të Shqipërisë, si dhe larmishmërisë të peizazheve natyrore që variojnë nga zonat malore deri tek brigjet e paprekura detare” – shprehet Aleksandër Trajçe, drejtor i PPNEA.
Nga ana tjetër, Dr. Goekhan Tuncer, drejtuesi i zyrës së fondacionit Heinrich Boell në Tiranë, flet mbi rëndësinë e Shqipërisë si një nga vendet e fundit të kontinentit tonë ku një pjesë e konsiderueshme e vendit nuk ka pasur ende ndikim të pakthyeshëm në mjedis.
“Ekosistemet natyrore të Evropës janë në një gjendje shqetësuese dhe kanë nevojë urgjente për rimëkëmbje. Vetëm 15% e habitateve evropiane mund të klasifikohen e një cilësie “të mirë”, ku një shqetësim të veçantë përbëjnë lagunat, dunat, si dhe zonat bregdetare. Degradimi i vazhdueshëm i mjedisit vjen si pasojë e një sërë faktorësh, shumë shpesh të ndërlidhur, ku renditen zgjerimi i tokave urbane apo bujqësore, ndotja, gjuetia e jashtëligjshme, mungesa e burimeve ujore, si dhe pasojat e ndryshimeve klimatike. Pasojat e këtyre sfidave janë tepër serioze. Nevoja për përkujdesjen ndaj habitateve natyrore mbetet një domosdoshmëri, ndërkohë që ekosistemet dhe biodiversiteti janë në një rënie të vazhdueshme”, thekson Dr. Tuncer.
Shqipëria mbart mundësi për të gjithë kontinentin, duke dhënë shembuj konkretë nëpërmjet habitateve të paprekura, të cilat nuk nxjerrin në pah vetëm bukurinë e egër të jetës në planet, por ofrojnë edhe mundësi për thellimin e punës kërkimore shkencore.
Fushata “Shqipëria është Biodiversitet” nxjerr në pah rolin e Shqipërisë si një qendër e biodiversitetit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së natyrës.
Qëllimi kryesor i kësaj nisme konsiston në nxitjen e kureshtjes, veçanërisht të gjeneratës së re, duke i shtyrë të kuptojnë më shumë natyrën.
Kjo fushatë është një nismë e përbashkët mes PPNEA dhe Heinrich Boell Stiftung Tirana, e mbështetur edhe nga Ambasada Zviceriane, Delegacioni Evropian në Shqipëri, Ambasada Gjermane, Ambasada Franceze, Agjencia Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe Vodafone Albania.
Instalacioni publik do të jetë i vendosur në qendër të Tiranës nga 2.10.2023, deri më 22.10.2023. Gjatë këtyre tre javëve do të zbatohen fushata edukative të dedikuara për fëmijë të grupmoshave të ndryshme, si dhe aktivitete të ndryshme publike si diskutime, shfaqje filmash, performancaeartistike, etj.