Përfshirja e të rinjve në politikë, ambasadori Gonzato: Shoqëria civile të forcojë rolin e saj
Një grup parlamentarësh të rinj të parlamentit europian ndodhen në Tiranë, ku zhvilluan një takim në sallën e parlamentit për të diskutuar rreth mundësive për të rritur përfshirjen e të rinjve dhe shoqërisë civile në politikë, në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u ndal në nevojën për të krijuar më shumë hapësirë për të rinjtë.
“Të vetëdijshëm për këtë realitet kemi bërë kujdes që në rrugë e ngushtimit të hendekut mes të rinisë dhe politikës të jetë tërheqja e të rinjve në jetën parlamentare dhe në institucionet e shtetit”, tha Nikolla.
Ndërsa ambasadori I BE-së në Tiranë foli për rolin e organizatave të shoqërisë civile dhe nevojën që ato të forcojnë ndikimin e tyre.
“Inkurajoj organizatat e shoqërisë civile të organizojnë më mirë rrjetet e tyre në fusha të ndryshme me kolegë në vendet e rajonit dhe të BE-së. Ne duhet ta sjellim Bashkimin Europian këtu dhe ju t’ju çojmë në BE”, tha ambasadori Gonzato.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është dhe do të mbesë një prioritet kyç për aktivitetet e parlamentit europian, të cilat fokusohen në forcimin e demokracisë dhe rrugën drejt BE-së”, tha Fabio Massimo Castaldo.
Takimi u zhvillua në kundër të projektit të Bashkimit Europian, “Bridge the Gap”, që synon të nxisë gjithëpërfshirjen në jetën politike, sociale dhe ekonomike të vendeve të Europës.