Përfundon argjinatura e Darragjatit / Banorët: Mbron tokat nga vërshimi i ujit
Punimet për krijimin e barrierave mbrojtëse në Darragjat të Njësisë administrative Dajç nisën 1 muaj më parë. Sipas firmës së kontraktuar këto punime kishin afat 2 mujor. Mirëpo, ato përfunduan në këtë fillim muaji. Kjo si shkak i frikës nga reshjet e shiut dhe përmbytjet e mundshme. Investimi u krye nga Bordi i Kullimit me kërkesë të Bashkisë Shkodër. Sipas banorëve të Dajçit, ndërtimi i këtyre argjinaturave u krijon më shumë siguri banorëve duke bërë të mundur mbrojtjen nga vërshimi i ujit.
Argjinatura e Darragjatit u dëmtua së pari në përmbytjet e vitit 2011 e më pas në ato të vitit 2018. Nevoja për të ndërhyrë ishte emergjente. Ndërtimi i 4 peneleve me gurë të mëdhenj në formën e barrierave synon të parandalojë përmbytjet në zonë.