Përfundon rruga e Dobrunës në Has, impakt pozitiv dhe mundësi zhvillimi për zonat ndërkufitare
Banorët e Dobrunës, një prej zonave të thella kufitare të Hasit me Kosovën janë bërë me rrugë të re e të asfaltuar. Për ta ishte ëndërr dikur veçmas për një nënë që sot ka zgjedhur të udhëtojë e ta shohë nga afër investimin e ri, ndërsa kujton se për të hapur rrugën e dikurshme në brezin kufitar ka punuar me djep në shpinë.
Rruga ka shkurtuar distancat e Dobrunës, edhe me Krumën por edhe me Gjakovën.
Investimi në fjalë ka dhënë impakt pozitiv për banorët e zonës të cilët sipas kryetarit të Bashkisë Has, Miftar Dauti po rikthehen në fshatrat e tyre.
“Sigurisht që është një investim i vyer pasi lidh Shqipërinë me Kosovën. Banorët që kanë qenë të larguar për efekt të rrugës, sot kanë shprehur interes të kthehen në vendin e tyrë qoftë dhe për të investuar”, shprehet Dauti.
Projektet e infrastrukturës ndërkufitare sa kanë nisur. I radhës është ai i rrugës “Gorozhup Pogaj”, me fondet e qeverisë së Kosovës. Punimet për këtë aks rrugë pritet të nisin në muajin korrik.
Rruga e Dobrunës ka një gjatësi 8,5 km investim i fondit shqiptar të zhvillimit ndërsa këtë vit kanë nisur punimet edhe për rrugën ndërkufitare që lidh fshatrat e njësisë administrative Zapod me fshatrat e komunës Dragash të Kosovës.