Përgatitjet për “Salloni i Vjeshtës”/ Galeria e Arteve ka publikuar detajet e para për këtë eveniment
“Salloni i Vjeshtës” mbetet njëri nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore që organizohen në Shkodër nga Galeria e Arteve e përqendruar në fushën e artit figurativ ndërsa vit për vit ky eveniment ka marrë përmasa kombëtare dhe jo vetëm.
Ndonëse është ende herët për një datë të zhvillimit të saj, Galeria e Arteve ka nisur të bëjë publike disa nga detajet e zhvillimit të saj. Ky edicion i XVII do të vijë përmes konceptit të artistëve dhe pedagogëve të Universitetit të Arteve Tiranë dhe të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” përkatesisht Edmond Gjikopulli dhe Senad Xhexhovi, të cilët do të jenë kuratorët e këtij viti.
“Lumturi e mundshme” është emërtimi i tematikës së këtij viti e cila bazohet në mrekullinë e krijimit që përmban në vetvete misterin që nis prej Krijimit fillestar, si manifestim i forcave më të mëdha në univers e deri tek ato mrekulli të vogla që çdo ditë na rrethojnë dhe na e bëjnë ekzistencën më të bukur e me kuptim.
Këto momente lumturie të krijimit artistik ka në fokusin e saj ky edicion i “Sallonit të Vjeshtës”.
Në postimin e saj, Galeria e Arteve fton të gjithë artistët të marrin pjesë me krijimtarinë e tyre sipas këndvështrimit dhe interpretimit të tyre artistik.
Tashmë mbetet në dorën e artistëve të japin më të mirën e tyre përmes artit që ata përcjellin në mënyrë që edhe ky edicion të vijojë në rrugën e suksesshme të atyre pararendëse që kanë dhuruar për të gjithë publikun artdashës.